Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, ka vizituar sot Kolegjin UBT. Ai mori pjesë në mbylljen e Akademisë Ndërkombëtare Verore (ANV) të Fakultetit të Shkencave Politike, me ç’rast së bashku me rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, shpërndanë certifikatat për pjesëmarrësit.
Giuseppe Morabito, nga Kolegji i Mbrojtjes së NATO-s, i cili mbajti një fjalë para studentëve, i uroi ata për kryerjen e Akademisë Ndërkombëtare Verore.
“Pse jemi këtu këtë mëngjes? Epo, jo për të folur për Kampionatin Botëror, sepse Italia nuk po merr pjesë sivjet”, u shpreh fillimisht ai, me shaka.
“Jemi këtu sepse kemi nisur një Akademi Verore në Prishtinë bashkë me NATO-n. Kemi nisur edhe akademi të tjera në vende të Evropës dhe në Kanada”.
Morabito tha se kjo akademi ka qenë një lloj simulimi për studentët sesi ambasadorët e vendeve të Këshillit Veriatlantik mbajnë mbledhje dhe marrin vendime kur ndodh diçka në zonat që ata mbajnë përgjegjësi.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, falënderoi për mbështetjen nga KFOR-i dhe tha se kjo është hera e dytë që Akademia Verore organizohet me KFOR-in.
“Vitin e kaluar jemi përqendruar në fushën e sigurisë politike. Këtë herë jemi përqendruar më shumë në shkencat politike. Ndërsa vitin tjetër do të jetë një përzierje”.
“Përveç kësaj akademie verore, UBT ka edhe rreth 20 sosh me tema të ndryshme”, tha Hajrizi.
Major Gjeneral Salvatore Cuoci tha se eprorët që iu kanë ligjëruar studentëve janë të klasit të parë. “Prandaj keni qenë me fat”.
Cuoci tha se ai beson se kjo akademi ka qenë një nxitje e mirë për nxënësit.
“Ju jeni e ardhmja e Kosovës, duhet të jeni të përgatitur”.
“Është e shumë e rëndësishme ta kuptoni mënyrën sesi NATO-ja punon, sepse Kosova ka qëllim të jetë pjesë e saj në një të ardhme”.
“NATO ishte e rëndësishme për Kosovën në të shkuarën, është tani dhe do të jetë edhe në të ardhmen”, theksoi Cuoci.