KOMF ka adresuar sot dokumentin ““Një Kryeministër për Fëmijët”, tek të gjitha partitë politike, duke ju rikujtuar disa fakte rreth situatës së fëmijëve dhe nevojës që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato.
Në një komunikatë për media KOMF, ka adresuar dokumentin, në të cilin tregohen dhe statistikat e gjendjes së fëmijëve, dhe shëndetin e tyre.
Komunikata e plotë:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Duke qenë se në Republikën e Kosovës më datë 14 Shkurt do të zhvillohen Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, KOMF ka adresuar sot dokumentin “Një Kryeministër për Fëmijët”, tek të gjitha partitë politike, duke ju rikujtuar disa fakte rreth situatës së fëmijëve dhe nevojës që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato.
Në Kosovë:
22.8% e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 7.2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.
8% e fëmijëve të moshës 7-12 vjeç, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë dhe vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Përfshirja e fëmijëve në shkolla mbetet tejet e ulët.
72% e fëmijëve nga 1 deri në 14 vjeç raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik).
5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë.
Vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme.
Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht.
Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve “PISA” e ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim.
Ofruesit e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në vazhdimësi rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mos financimit të qëndrueshëm.
Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.
Për problematikat e mësipërme dhe të tjera, KOMF përmes këtij dokumenti ka adresuar tek partitë politike kërkesa dhe rekomandime konkrete për zgjidhje emergjente!