KOMF alarmon për rrezikun e mbylljes së shërbimeve për fëmijët në nevojë

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 12:44 | Nga

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka shprehur shqetësimin lidhur me rrezikun e mbylljes së shërbimeve të ofruara nga sektori joqeveritar për fëmijët që kanë nevojë për përkujdesje dhe strehim rezidencial.
Kjo sipas KOMF me arsyen se sektori jo qeveritar po ballafaqohet me sigurim ekzistencial duke rrezikuar kështu ndërprerjen e shërbimeve për fëmijët.

“…nisur nga kjo gjendje e rëndë e krijuar, KOMF ka kërkuar masa të menjëhershme nga MPMS dhe Komunat për sigurimin e buxhetit për të garantuar të drejtën e fëmijës për mbrojtje, e drejtë kjo e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin vendor në fuqi.”, thuhet në komunikatën e KOMF.

Sipas kësaj OJQ-je fëmijët të cilët strehohen në strehim rezidencial dhe fëmijët të cilët marrin shërbime dhe përkujdes ditor nga sektori jo qeveritar, janë fëmijët më të cënueshëm. Sipas legjislacionit në fuqi shteti duhet të garantojë mbrojtjen për këta fëmijë. Këta janë kryesisht fëmijë pa përkujdes prindëror, viktima të dhunës, abuzimit, fëmijë në rrezik për tu trafikuar dhe viktima të trafikimit me rrezikshmëri të ulët.

KOMF apelon që MPMS dhe komunat të marrin masa emergjente për mos mbylljen e këtyre shërbimeve të cilat janë thelbësore për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe reintegrimin e fëmijëve, të drejta këto të garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme