Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF ka reaguar duke thënë se rezultatet e Testit të Arritshmërisë janë një tregues i gjendjes së sistemit arsimor dhe duhet të shërbejnë si alarm për të gjitha institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Arritshmëria mesatare e nxënësve këtë vit prej vetëm 48.35%, konfirmon se edhe pas disa vitesh përpjekjesh, sistemi arsimor nuk ka arritur të shënojë përmirësim të qëndrueshëm.
Sipas KOMF rezultatet tregojnë se dy vitet e fundit nuk është arritur të tejkalohet niveli prej 50%, duke reflektuar regres në rezultatet e nxënësve (2022: 50.75%; 2023: 52.1%; 2024: 52.1%; 2025: 48.8%; 2026: 48.35%). Rezultatet tregojnë se nxënësit mesatarisht arrijnë më pak se gjysmën e kërkesave të testit, duke ngritur shqetësime serioze për përvetësimin e njohurive dhe kompetencave të parapara me kurrikulat arsimore. Kjo situatë paraqet qartë nevojën për një analizë të thelluar të faktorëve që ndikojnë në cilësinë e arsimit, si dhe për ndërmarrjen e veprimeve dhe masave të bazuara në evidencë për përmirësimin e rezultateve të nxënësve.
Poashtu, rezultatet nuk paraqesin dallime të rëndësishme ndërmjet komunave, shkollave dhe kategorive të ndryshme të nxënësve. Këto pabarazi tregojnë nevojën për politika më të targetuara, të cilat adresojnë nevojat specifike të shkollave dhe nxënësve që kanë performancë më të ulët.
Arsimi parauniversitar në Kosovë po përballet me sfida dhe probleme të shumta që ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit. Sipas Raportit Monitorues të KOMF “Karta e Vlerësimit”, puna e institucioneve publike arsimore në Kosovë është vlerësuar me notën 2.5 në një shkallë nga 1 deri në 5, duke reflektuar mangësi të mëdha në funksionimin dhe ofrimin e arsimir cilësor. Gjithashtu, rezultatet e Kosovës në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) e kanë renditur vendin në mesin e vendeve me performancë të ulët, duke treguar nevojën për reforma të thella dhe të qëndrueshme në sistemin arsimor.
Përveç cilësisë së ulët të arsimit, shkollat publike në Kosovë përballen edhe me sfida të tjera, përfshirë dhunën në shkolla dhe nivelin e pamjaftueshëm të gjithëpërfshirjes. Shkollat publike ende nuk e përmbushin konceptin e shkollës mike për fëmijët, për shkak të mjediseve jo gjithmonë të sigurta dhe mbështetëse, infrastrukturës së papërshtatshme, mungesës së personelit profesional pedagogjik dhe psikologjik, si dhe bashkëpunimit të pamjaftueshëm me prindërit.
Për përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar në Kosovë, nevojiten reforma të thella, të qëndrueshme dhe afatgjata të bazuara në analiza dhe shqyrtime adekuate, të shoqëruara me investime të mjaftueshme në sistemin arsimor.
Këto reforma duhet të përfshijnë investime në ngritjen e cilësisë së arsimit përmes: rishikimit të planprogrameve mësimore dhe kurrikulave; vlerësimit të performancës së mësimdhënësve; mbështetjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve; rishikimit të teksteve shkollore për të ju përshtatur nivelit dhe moshës së nxënësve; realizimit të mësimit tërëditor në mënyrë mirë të planifikuar; rrjetëzimit të shkollave; krijimit të autonomisë së shkollave nga ndikimet politike; rritjes së llogaridhënies në të gjitha nivelet e sistemit arsimor; forcimit të monitorimit, inspektimit dhe mekanizmave të sigurimit të cilësisë; inkuadrimin e konsultimit dhe bashkëpunimit konstruktiv me prindër, digjitalizimit të arsimit dhe aplikimit të metodave të mësimdhënies që promovojnë përdorimin efektiv dhe të sigurt të teknologjisë në procesin mësimor; si dhe pajisjes së shkollave me mjete, materiale mësimore dhe teknologji digjitale për të siguruar mbështetje më të mirë për mësimdhënien dhe të nxënit efektiv.