Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes ka mbajtur tryezë diskutimi për të sjellë qëndrimet e aktorëve kyç lidhur me nevojën për rishikimin e kapitujve që adresojnë mbrojtjen e fëmijëve në kuadër të Ligjit të Familjes.
Kryetari i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, Burim Behluli, tha se Ligji mbi familjen duhet të ndryshohet dhe të ketë më shumë mbrojtje për fëmijët e në fokus të jetë adoptimi dhe strehimi i tyre, raporton Ekonomia Online.
“Qëllimi se pse jemi mbledhur këtu është nevoja për ndryshimin e Ligjit të familjes, i cili është një ligj qe shumë vite dhe ka përcjellë me sfida dhe probleme dhe prandaj ne si shoqëri civile në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare sot në një formë po bëjmë deklarative nisjen e tryezave në fokus te mbrojtja e fëmijëve dhe fokus të veçantë është pjesa e adaptimit strehimor, familjar residencial, por edhe ndryshime që janë duke ndodhur në vend dhe Evropë me reformat e reja dhe ligji i familjes që është dashur të jetë kujdesi pas moshës 18 vjet një nevojë që duhet të plotësohet”, tha Behluli.
Feride Podvorica, nga Ministria e Drejtësisë, tha se Ministria e Drejtësisë është e fokusuar në mbrojten e fëmijëve por edhe në garantimin e të drejtave të njeriut, raporton EO.
“Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunim të mirë me mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me UNICEF dhe KOMF duke u bazuar në praktika dhe bashkëpunim, ne mirëpresim rekomandime dhe kontribut dhe të gjitha këto ne do i adresojmë në rishikim të legjislacionit nga Ministria e Drejtësisë”, tha Podvorica.
Ardian Klaiqi nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë tregoi për praktikat të cilat përdoren në vendet e ndryshme dhe ato në Kosovë. Klaiqi tha se gjatë takimeve që kanë pasur dhe praktikave të vendeve të tjera kanë ardhur në dilema të ndryshme, në atë se në cilën moshë duhet të aboptohet fëmija, ku kanë qenë në dilemë në mes mujorit të parë të jetës dhe atë të katërt.
“Arsyeja që ne jemi këtu është se ne si grup kemi identifikuar disa dispozita ligjore dhe nene që kanë karakter të dyfishtë, e para të natyrës politike, sepse duhet vendimmarrje politike për të caktuar statusin e mbrojtjes së fëmijës dhe e natyrës teknike”, shtoi Klaiqi.
Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjetë Kelmendi, tha se Ligji për familje ka hyrë në fuqi që nga viti 2004, por që nga atëherë nuk ka pasur një ndryshim, raporton EO.
Kelmendi shtoi se temat për të cilat Ligji duhet të fokusohet më shumë janë adoptimi i fëmijës, strehimi familjar, strehimi residencial dhe jetesa e pavarur e mbikëqyrur.
“Ky takim ka ardhur si rrjedhojë e takimeve të vitit që kemi pasur me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve publike dhe është parë e rëndësishme nevoja e proces ndryshimit të Ligjit të Familjes dhe kryesisht në fokus mbrojtjen e fëmijës”, tha Kelmendi.
Kelmendi shtoi se duke parë praktikat e vendeve evropiane, edhe në Kosovë fëmija i moshës 18 vjeç eventualisht 25 duhet të ketë kujdesin dhe mbrojtjen e familjes së tij në strehim.