Komisioni “ad-hoc” formon Grupin Punues për shqyrtimin e Projektligjit për Vettingun

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, sot ka formuar grupin punues për shqyrtimin e Projektligjit për Kontrollin e Integritetit të Pozitave të caktuara në Sistemin e Drejtësisë. Në këtë grup punues, do të jenë përbërja e njëjtë me atë që ka qenë për analizimin e amendamenteve kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherësh kryetar i Komisionit, Kujtim Shala, ka thënë se në fillim të këtij muaji Ministria e Drejtësisë iu ka dorëzuar këtë projektligj të harmonizuar edhe me draft-amendamentet kushtetuese, por edhe me vlerësimet e Venecias.

Ai ka thënë se grupi punues do ta analizojë edhe nëse Projektligji për Kontrollin e Integritetit të Pozitave të caktuara në Sistemin e Drejtësisë është draft i konsoliduar apo jo për t’u proceduar më tutje.

“Pas pranimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të draft-amendamenteve, Gjykata ka kërkuar nga Kuvendi që deri më 22 mars 2023 t’ju dërgohen edhe disa dokumente të punës së Komisionit ad-hoc. Ai grup punues i cili është marr me propozim-amendamentet kushtetuese do të mund të merret edhe me këtë projektligj”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh se ekziston mundësia që të kërkohet shtyrja e mandatit të Komisionit Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar.

“E gjitha puna e këtij Komisioni varet nga përgjigja e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Rrustemi tha se mund të shtrohet nevoja që të zgjatet mandati i këtij komisioni “ad-hoc”, kjo nëse sipas tij, mund të ketë vonesa nga Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese.

Ndryshe, Komisioni “ad- hoc” për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar me 24 shkurt 2023, ka miratuar amandamentet Kushtetuese për procesin e Vettingut.

Ndërsa, me 2 mars 2023, Kryetari i i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kishte njoftuar se i ka përcjellur në Gjykatën Kushtetuese amendamentet kushtetuese lidhur me Vettingun në sistemin e drejtësisë.

Të ngjashme