Komisioni arsyeton hartimin e Ligjit për mediat, nuk synon kontrollin por mbrojtjen e tyre

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 10:59 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Javën e kaluar Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka marrë iniciativën për hartimin e Ligjit të veçantë për mediat.

Për hartimin e këtij ligji, në mbledhjen e sotme të Komisionit, Milaim Zeka tha se duhet të sqarohet ajo iniciativë pasi që, sipas tij, është dezinformuar nga mediat.

Ai tha se Ligji për mediat ka për qëllim rregullimin e problemeve brenda mediave, dhe që, sipas tij, do të formulohet në pajtim me legjislacionin e BE-së,  raporton Ekonomia Online.

“Përmes disa gazetarëve mercenarë po dezinformohet opinioni për hartimin e ligjit të veçantë për media. Çdo ligj këtu bëhet në harmoni me ligjet e BE-së. Në Kosovë janë mbi 400 portale që janë të paregjistruara, TV lokale që nuk kanë licencë, detyra jonë është me i rregullu gjërat e tilla”, ka shtuar Zeka për iniciativën që është marrë javën e kaluar po në këtë komision.

Nait Hasani, kryetar i komisionit për Media, tha se ky ligj po bëhet për t’i mbrojtur mediat dhe jo për t’i kontrolluar, raporton EO.

“Komisioni i Pavarur për Media nuk ka përgjegjësi të merret me këtë, e ka vetëm licencimin dhe frekuenca, dhe të kemi një ligj për media të shkruara, online, që t’i mbrojë mediat jo t’i kontrollojë, sepse mediat janë në një situatë të rëndë”, ka thënë Hasani.

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në rend dite pati edhe Shqyrtimin e Projektligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Nait Hasani, kryetar i komisionit, tha se nuk kanë për synim ndaljen e shqyrtimit të projektligjeve nëse Qeveria nuk ka nxjerrë ndonjë amendament shtesë. Këtë e tha pasi që anëtarja e këtij komisioni, Shqipe Pantina, kërkoi që të shtyhet shqyrtimi për një mbledhje tjetër, sepse ajo u shpreh se nuk është urgjent për t’u miratuar, raporton EO.

“Ka vetëm një vërejtje me shkrim. Vetëm një amendament me plotësu për lexim të dytë. Nuk jam i interesuar me ndalë projektligjin që me marrë vërejtje nga Kryesia pse nuk i kemi përfundu, qeveria kur dëshiron të bëjë plotësime ai kthehet prapë, por nuk do ta ndalim”, ka thënë Hasani.

Shqipe Pantina, nga PSD-ja, propozoi që ky projektligj të shtyhet për ndonjë mbledhje tjetër në të cilin të marrin pjesë edhe Ministria e Administratës Publike.

“Ky ligj është pjesë e reformës së administratës publike. Do të ishte mirë të ishte pjesëmarrës dikush nga Ministria e Administratës Publike. Kur kemi hartuar projektligjin për herë të parë, është bërë punë e mirë edhe këshilli ka dhënë kontribut. Duhet të dimë se a të organizojmë dëgjim publik për këtë, apo a duam me konsultu qeverinë përveç komenteve që ka dërgu, a me konsideru këtë ligj si pjesë të pakos së ligjeve për reformë. Nuk është ligj që kërkon nguti”.

Milaim Zeka, Nisma, nuk mbështeti këtë propozim të Pantinës, duke theksuar se Qeveria po saboton ligjet, por që komisioni duhet të përfundojë obligimet që i ka.

“Qeveria vetë po don me i sabotu ligjet, ne kemi obligim qytetar të punojmë me ligje dhe t’i çojmë përpara, pavarësisht preferencave politike. Nuk duhet të pranojmë direktiva të ministrave apo kujtdo qoftë për sabotim të ligjeve”, ka thënë Zeka.

 

Të ngjashme