Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të vendosë një kufi për numrin e zëvendësministrave qoftë përmes Projektligjit për funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura ose atij për Qeverinë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo thirrje ka dalë nga konkluzionet e përbashkëta të Grupit të Veçantë për Reformë të Administratës publike, të publikuara të martën, pas takimit që kishte zhvilluar në fund të muajit prill.
Komisioni Evropian thekson se ndikimi politik mbi emërimet dhe shkarkimet vazhdon të jetë një shqetësim serioz. “Palët kanë rënë dakord që rregullorja për rekrutimin e nëpunësve civilë të lartë duhet të rishikohet menjëherë me ndihmën e ekspertëve për të siguruar respektimin e plotë të parimit të meritës dhe se do të miratohet nga Qeveria deri më 17 shtator 2018. Komisioni është zotuar të ofrojë asistencë për një rishikim të tillë”, thuhet në përfundimet e bashkëdakorduara BE-Kosovë, të Grupit të Veçantë për Reformë të Administratës Publike.