Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka miratuar raportin vjetor të RTK-së për vitin 2017 duke e dërguar në Kryesinë e Kuvendit.
Anëtarët e komisionit kishin vërejtje sa i përket numrit të madh të punëtorëve dhe skemës programore, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi tha se Bordi i RTK-së në bazë të mandatit e ka përcjellë me kohë raportin e punës për vitin 2017.
Ajo tha se kanë shpenzuar buxhetin në mënyrë racionale dhe s’kanë bërë tejkalime buxhetore. Maliqi tha se buxheti aktual i RTK-së nuk është zhvillimor dhe kanë nevojë për investime sidomos në teknologji.
“Bordi dhe menaxhmenti ka arritur të shpenzojë në mënyrë racionale buxhetit. S’ka bërë asnjë tejkalim buxhetor. Buxheti aktual nuk është zhvillimor sepse RTK ka nevojë për investime të shumta sidomos në teknologji”.
“Bordi ka bërë edhe mbikëqyrje e përmbajtjes programore, RTK një pjesë të skemës e ka përshtatur gjatë dy palë zgjedhjeve, ku janë ndërpre programet për të transmetuar debatet e intervistat”.
Maliqi theksoi se RTK është përballur me sfida, si çështja e financimit afatgjate e cila sipas saj shkakton probleme serioze në punën e institucionit.
Ajo ka thënë se punojnë në kushte të rënda, pasi nuk e kanë të zgjidhur çështjen e pronës Sipas saj cdo herë kur ka reshje vërshohen studiot e RTK-së, dhe tha se të rrezikuara kanë qenë edhe dje kur pati reshje të shiut.
Ajo vlerësoi se Marrëveshja me Ministrinë e Administratës Publike për objektin e ri do ti jepte fund këtyre problemeve.
“Një pjesë e studiove janë të vendosura në garazha dhe kur ka reshje ka edhe vërshime, kjo rrezikon punëtorët dhe teknikën. Dje studiot ku transmetohet kampionati botëror ka qenë në rrezik për shkak te vërshimeve”
Maliqi tha se është nevojë urgjente digjitalizimi i arkivës, sepse sipas saj, po rrezikohet një pjesë e historisë së Kosovës, derisa këtu ka kërkuar ndihmën e institucioneve.
“Problem është edhe digjitalizimi i rrjetit dhe arkivës. Jemi i vetmi TV publik që punojmë me sistem të vjetër analog. Digjitalizimi i arkivës është urgjente sepse po rrezikohen në shiritat, aty është një pjesë e historisë së Kosovës dhe këtu nevojitet ndihma e institucioneve. Çështjet e lartpërmendura kërkojnë vëmendje te kuvendit dhe institucioneve të tjera. Miratimi i ligjit i zgjidh këto probleme që i përmenda”.
Kryetari i komisionit, Nait Hasani, ka thënë se ka vërejtje nga Komisioni i Pavarur i Medieve dhe qytetarët që sinjali i RTK-së nuk është i shtrirë në gjithë vendin.
“Kemi vërejtje nga KPM dhe qytetarët që nuk mbërrin sinjali gjithkund. Atyre që s’ju shkon sinjali si do te bëhet kur iu shkon fatura për pagesë. Ka numër të madh punëtorësh në RTK dhe me atë staf kumendit çfarë televizione kishim mundur t’i mbajmë”.
Imet Rrahmani nga LDK, deklaruar se derisa RTK është përcjellë nga probleme të ndryshme, nuk është dashur të hap kanale të tjera.
“RTK funksionon me 4 kanale, sa i kushton RTK-së hapja e një kanali të ri. RTK ka nevojë për investime për me ndjek hapin, nëse ka pasur këto probleme pse është lëshuar në aventura me hap kanale te reja dhe sa kushton digjitalizimi i arkivave”.
Adem Mikullovci nga VV ka kritikuar bordin për programin artistik të RTK-së. Ai tha se seriali “Kafeneja Jonë”, pjesë e të cilit ishte edhe vet, u ka kushtuar rreth 5 mijë euro, ndërsa sipas tij, RTK e ka blerë me 16 mijë euro. Ai ka thënë se duhet të dihet se ku kanë shkuar ato para.
“A keni qasje në programin artistik, kush e bën teksti, sa paguhet ai. Kafeneja jonë na ka kushtuar 5 mijë e diçka euro, RTK e ka blerë 15 mijë, 16 mijë euro, kush i ka marrë ato para. Drejtori nuk është fajtor, është bordi. A ka RTK lektor, sa e di unë nuk ka. Drejtor artistik s’keni, regjisor s’keni, çka bëni ju bordi”.
Kryetari Nait Hasani tha se kanë bërë një kërkesë në qeveri që ish-objekti i RTP-së t’i kalojë RTK-së.
Xhevahire Izmaku nga PDK ka krijuar bordin për mos realizimin e obligimit të Radio Kosovës në mbulueshmërinë me frekuenca.
Ajo ka propozuar që në lajmet qendrore në RTK të ketë më pak lajme nga politika dhe më shumë nga fusha sociale, problemet e familjeve kosovare.
“Radio t’i kryejë obligimet e saj në mbulimin e frekuencave sipas ligjit. Në aspektin teknologjik ka mungesë. Përfillni kërkesat e gazetarëve për zyre. Te imitimi i programeve, transmetuesit i takon me i ruajtur vlerën kombëtare. Pse RTK nuk e ka një program që të përcjellë vlerat kulturore, le te jetë ai program. Të lajmet qendrore pse mos me u fokusuar te problemet sociale te familjeve, janë më të besueshmet. Përfshini pak më shumë, hiqeni pak politikën”.
Milaim Zeka nga Nisma Socialdemokrate tha se çdo auditor do të duhej të ishte pikënisja e hetimeve për çdo shkelje ne institucione. Zeka ka thënë se ka shkelje të jashtëzakonshme në paanshmërinë e moderatorëve.
“Raporti i auditorit duhet me qenë për bordin si prokurori. RTK është me teknologji të kohës se Shaban Polluzhës, e Japonisë që e kanë gjuajtur në magazina. Çdo menaxhment ka hapur vetëm kanale të reja, pa pasur kamera. Ka defekte të jashtëzakonshme në paanshmërinë e moderatorëve. Moderatorët bëjnë konstatime, fyerje. Shyqyr që bordi se kqyrni RTK, përpos futbollit, se ju kish rënë te fikët”.
Sali Zyba nga VV, është ankuar për emisionet në serbisht të cilat sipas tij nuk janë edhe në shqip.
“Kanali në gjuhën serbe, emisioni në gjuhën serbe, ndërsa ato shqipe ka edhe në serbisht”.
Rasim Selmanaj nga AAK, deklaroi se çështja e financimit përcakton pavarësinë editoriale dhe cilësinë e programeve.
“Ka ngritje te cilësisë së raportimit por në raport ka edhe informacione të panevojshme. Çështja e financimit e përcakton pavarësinë editoriale dhe cilësinë e programeve”.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi ka bërë të ditur se sipas disa ekspertëve francezë, kostoja për digjitalizimin e arkivës është 1 milionë e 200 mijë euro.
“Sipas një ekspertize franceze te INA-s kostoja për digjitalizim është deri në 1 milionë e 200 mijë euro për transmetim HD. Të paanshmëria e moderatorëve, kemi pas vërejtje. Menaxhmenti ka formuar një grup te jashtëm për të vlerësuar moderatorët”.
Naim Gashi, anëtar i Bordit ka bërë të ditur se borxhi i RTK-së është 3.7 milionë euro. Sipas tij gjatë dy viteve të fundit RTK nuk ka hyrë asnjë cent në borxhe.
“Sa i përket digjitalizimi, nuk është kompetencë e RTK digjitalizimi i rrjetit, është kompetencë e Kuvendit. Sa i përket kanaleve, nuk e di koston e saktë sepse s’kam qenë anëtarë atëherë por nuk besoj që është kosto shumë e lartë”.
“Për audimin, prej audimit sa jemi kjo përbërje asnjë cent s’ka pasur tejkalim buxhetor. Sa i përket borxheve, këto dy vjet s’ka pasur asnjë cent hyrje në borxh. Kemi kërkuar statistika se sa është borxhi, menaxhmenti ka treguar që borxhi më i madh është nga 2013. Shifra që na kanë pru vitin e kaluar është 3.7 milionë euro”.
Kryetari Hasani ka kërkuar që 15 për qind e kanalit RTK 2 të jetë në gjuhën shqipe, përndryshe siç tha, raporti i sotëm nuk do të miratohet.
Kryetarja e Bordit garantoi Hasanin se kjo do të realizohet.
Hasani i kërkoi bordit që ai t’i kërkoj menaxhmentit informacione rreth kostos së hapjes së një kanali të ri.