Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Pasqyrat Vjetore Financiare të kompanisë së ujitjes “Drini i Bardhë”, ku ka vlerësuar se raporti i sjellë nga zyra e auditorit për vitin 2017 është raport i keq dhe që kompania përcjellët me shumë parregullsi.
Kryetari i komisionit Driton Selmanaj, e vlerësoi raportin e Auditorit për kompaninë “Drini i Bardhë” shumë të keq. Ai shtoi se një situatë të tillë duhen masa emergjente, raporton Ekonomia Online.
“Po befasohem që edhe pas 18 vite pas çlirimit ne kemi raporte të tilla, edhe në kontekste të menaxhimit të qeverisjes së brendshme edhe kjo gjendje financiare. Vlerësimi është më negativ i mundshëm. Në një situatë të tillë duhen masa emergjente”.
Avdullah Hoti, nga LDK-ja, tha se janë shqetësuese të dalat e raportit të auditorit, duke shtuar se ndonëse kompania ka operuar me humbje pagat kanë vazhduar të rriten.
“Ky është ndër raportet më të këqija të mundshme në mënyrën se si menaxhohet kjo kompani. Të gjeturat janë që nuk ke çka me diskutuar më tutje. Kërkesat afatshkurta nuk i keni të evidentuara. Për obligime nuk i keni evidente. Tek punësimi njerëzit punësohen pa konkurs, nuk keni evidence për humbjet që i keni. Nëse ju për që nga viti 2016-2017 i rritni pagat përkundër asaj që jeni në humbje, unë nuk e di qysh vazhdoni”.
Ahmet Isufi, nga AAK-ja, tha se është një raport që tregon që situata është e keqe.
“Duhet të bëhen të gjitha ndryshimet që janë kërkuar nga auditori. Pasqyrat financiare nuk përputhen dhe kjo tregon që diçka nuk po funksionon. Është gjendja e konkurseve jo e mirë, është shpërpushja e aseteve. Këto janë të dhëna statistikore që janë nxjerr nga auditori. Ju duhet t’i përfillni rekomandimet e auditorit”, tha ai.
Deputeti Albert Kinolli tha se raporti duket të jetë katastrofal.
“Kompania nuk kishte hartuar planin e prokurorimit pasi që nuk ka zyrtare të prokurorimit. Menaxhimi i dobët i parave që mbanin në arkë, rekomandimi është që të hyrat t’i vendosin në llogari bankare. Menaxhimi i dobët i llogarive të arkërueshme, menaxhim i dobët i të hyrave e shumë probleme tjera”.
Gjithë këto vërejtje të deputetëve i arsyetoi Beqë Hadergjonaj, Kryetar i bordit të kompanisë së ujitjes “Drini i Bardhë”.
Ai tha se problemet që ka kompania sot janë të trashëguara nga bordi paraprak, raporton EO.
“Ne e gjetëm ndërmarrjen në gjendje të renduar. Ne raportin auditorit e kemi marr dhe kemi bërë një plan të veprimit. Shumica e problemeve janë në plan të veprimit. Ka edhe disa gjetje që janë peshë e rëndë për kompaninë. Në kompani nuk ka material bazë qe disa probleme të sqarohen apo dokumentohen. Gjendja në kompani është shumë më e mirë se sa që e kemi gjet. E kemi trashëgua 100 e diçka mijë euro borxh”.
“Na e kemi pas kompaninë pa zyrtar ligjor, pa kontabilist dhe ne kemi bërë hapa pozitiv drejt këtyre gjerave. Për gjerat që kanë ndodhur në të kaluarën nuk është faji jonë. Punëtorët në kompaninë tonë janë bërë me konkurs, punëtorët e terrenit i kemi qit në lajme lokale konkurs mirëpo nuk është paraqit askush kështu që i kemi kthyer punëtorët e vjetër”.