Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2017.
Musa Shabani tha se komisioni për miniera dhe minerale po mundohet t’i ndalë operimet e jashtëligjshme.
“Buxheti final i komisionit është 1.350.000 euro. Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale është munduar të ndalë dukurinë e ekonomisë joformale në fushën e minierave ku inspektoriati ka bërë 76 inspektime dhe 80 kallëzime penale për operimet e jashtëligjshme. KPMM-ja, përveç kësaj dukurie që është negative, kjo dukuri po ndikon në buxhetin e Kosovës dhe sipas një analize diku 10% ndikon në buxhetin e KPMM-së”.
Azem Rexha tha se KPMM-ja gjatë vitit 2017 ka arritur të realizojë buxhetin 95%.
“Përgjatë vitit 2017 kanë vazhduar që disa shpenzime të jenë më të larta. Borxhet kryesisht i kemi nga operimet ilegale. Borgjet e vjetra i kemi marrë nga procedurat përmbarimore. 3 milionë e 600 mijë euro janë borxhe të vjetra. Operimet ilegale do të ndaleshin sikur institucionet do të bënin më shumë që t’i ndalnin. Ne i ndjekim por qeveria vazhdon t’iu japë tendera dhe projekte”.
Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se shpenzimet duhet të jenë të arsyeshme në çdo bord, raporton Ekonomia Online.
“M’u duk e çuditshme pse karburantet janë shpenzuar 100%, mirëpo meqenëse paska mungesë të karburantit atëherë është e pranueshme. Lidhur me shpenzimet për 31 mijë euro të kategorizuar si shpenzime të të tjera, që përfshijnë shpenzimet e udhëtimit e shpenzime të tjera, lusim që paraja publike të shpenzohet arsyeshëm dhe vizitat nëpër konferenca të mos shndërrohen në ekskurzione”.