Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka proceduar në Kryesi për shqyrtim emrat e 9 anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Ministri i Arsimit, Shkencë dhe Teknologji (MAShT), Shyqiri Bytyqi tha se AKA është e nevojshme që të jetë aktive sa më shpejt, raporton Ekonomia Online.
“Këto zhvillimet e fundit që kanë ndodhë kanë kontribuar në funksionalizimin e agjencisë, ashtu siç kemi kërkuar. Menjëherë pas rekomandimeve të parlamentit të Kosovës, ne kemi formuar komisionin ku kanë qenë të përfshirë pjesëtarë nga shoqëria civile dhe persona përgjegjës. Ka pasur komente edhe nga faktorët ndërkombëtarë, ku kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në hartimin e udhëzimit administrativ”, tha Bytyqi.
Ai e shpjegoi ecurinë e përzgjedhjes së kandidatëve.
“Komisioni është përbërë prej 5 anëtarëve. Një përfaqësues i MAShT-it, një përfaqësues nga Akademia e Shkencave, një përfaqësues nga WUS Austria, një përfaqësues i universiteteve publike dhe një person nga shoqëria civile. Ne kemi kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare që të jenë mbikëqyrës në përzgjedhjen e anëtarëve. I kemi kërkuar edhe EQAR-it, mirëpo nuk kanë mundur të jenë prezent. Kanë qenë 35 kandidatë që kanë aplikuar, 16 kanë qenë në listën e ngushtë në katër fusha”, tha ai.
Kryetarja e komisionit, Teuta Haxhiu tha se do të mundohen që në seancën e të hënës t’i dërgojnë emrat e kandidatëve dhe si e tillë të kalojë sa më shpejt.
“Ne si deputetë, pas debatit që kemi pas të thirrur pikërisht për rrjedhën që ka ndodhë për shkarkimin dhe për listën e re të anëtarëve. Besoj që si anëtarë të komisonit i kemi dhënë shtytje këtij procesi. Kjo mbledhje është thirrur me urgjencë, sepse synojmë që ditën e hënë kur e kemi seancën të del si pikë e rendit të ditës. Unë do të propozoj që kjo pikë të jetë ndër pikat e para”.
Arbërie Nagavci, nga VV, i bëri thirrje ministrit që t’i marrë parasysh rekomandimet e dala nga seanca, raporton EO.
“Duke qenë se tash i kemi emrat me CV, do t’i shqyrtojmë me vëmendje. Dua t’jua tërheq vëmendjen që duhet t’i keni parasysh rekomandimet që kanë dalë nga seanca. Meqenëse janë afatet e shkurtra, ju lus që t’i keni parasysh rekomandimet”, tha ajo.
Ndryshe nga deputetët e tjerë në komision, Nezir Çoçaj, nga PDK tha se nuk është i kënaqur me listën e kandidatëve.
“Lista e pjesëmarrësve ka qenë qesharake. Unë s’jam aspak i kënaqur me kandidatët. Unë s’kam çka flas më tepër, sepse jam para aktit të kryer dhe jam i detyruar t’i votojë për shkak të kushtëzimeve. Me këta emra që po i shoh që kanë aplikuar, qitne në shadërvan në Prizren një listë me u shënuar dhe besoj që do të konkurrojnë kandidatë më të fortë në aspektin profesional sesa këta që kanë konkurruar”, tha ai.
Me gjithë kritikat, lista është përkrahur nga të gjithë deputetët, për shkak se Kuvendi ka rekomanduar që ata të procedohen sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi që më 19 prill, kur do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e ENKA-s, Agjencia e Akreditimit, rrezikon të shkarkohet edhe nga ky institucion.
Anëtarët e propozuar për ratifikim nga Qeveria e Kosovës për Kuvendin e Kosovës, janë: Prof. Ass. Dr. Vjollca Krasniqi, Prof. Ass. Dr. Arta Jakupi, Dr. Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila, Prof. Dr. Magdalena Ziolo, Prof. Dr. Gazmend Luboteni, Prof. Dr. Herbert K. Amato, Prof. Dr. Xhavit Rexha, Prof. Msc. Jeffrey Butel dhe Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka.
Ky Këshill zgjidhet me mandat pesëvjeçar, ndërsa vendimi për emërimin e tyre hyn në fuqi ditën e ratifikimit të anëtarëve të KShC-së në Kuvendin e Kosovës.
Agjencia e Akreditimit të Kosovës është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Në arsyetimin e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ishte vlerësuar lart puna e anëtarëve të bordit të kaluar, duke pezulluar mbi 100 programe të akreditimit në kolegjet publike dhe private.
Gjithashtu, aty thuhej se puna e tyre nuk i kishte pëlqyer qeverisë dhe kishte shkarkuar ata pa ndonjë arsyetim konkret, duke emëruar anëtarë të tjerë, kryesisht aktivistë partiakë.