Drejtori i ri i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj ka raportuar rreth gjendjes aktuale të komplekseve memoriale në Kosovë në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.
Zogaj tha se nuk është i kënaqur me numrin e madh të komplekseve që kanë kaluar në kompetencën e këtij agjencioni, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes që nga paslufta, raporton Ekonomia Online.
“Memorialet dhe komplekset dhe gjitha ato që janë në kompetencën tonë nuk jam i kënaqur, sepse këtu kemi një numër të madh të komplekseve që kanë kaluar në kompetencë të këtij agjencioni dhe të gjitha ato komplekse memoriale, shtatore dhe varreza janë bërë që nga fillimi i pasluftës janë bërë në baza vullnetare dhe shkel e shko dhe ka munguar në mirëmbajtja e këtyre dhë tani kemi shumë memoriale edhe të dëmtuara”, tha Zogaj.
“Prej që kam ardhur në Agjenci synim i parë ka qenë Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pastaj tjerat dhe për të bërë një punë të mirë dhe kjo punë të shërbejë edhe për gjeneratat e ardhshme kemi dashur të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm. Dhe të njëjtën kohë të kemi mirëmbajtje për projektet që do realizojmë dhe të zgjerojmë aktivitetin tonë në ato komplekse ku kemi mundësi”, tha ai.
“Problemi i parë është Kompleksi Memorial “Adem Jashari” çka besoj se tani me votimin e ligjeve do ta kemi një situatë më të mirë dhe me fillim të vitit të ri do të fillojë të zgjidhet ky problem dhe do ta heqim një përgjegjësi si qytetarë dhe ne që kemi pasë pozita që nuk kemi bërë më shumë që ky kompleks memorial të jetë më i dinjitetshëm sesa që është për momentin”.
Besa Gaxherri kërkoi auditim për investimet në komplekset memoriale, duke e quajtur të papranueshme keqpërdorimin e mjeteve të ndara për to.
“Deri më tani janë investuar mbi 10 milionë euro. Unë nuk jam eksperte në aspektin e inxhinieringut por jam e sigurt që aty nuk janë shku më shumë se 3-4 milionë. Unë mendoj se ne si komision duhet të kërkojmë të bëjmë një auditim sepse nuk ka kurrgjë më të papranueshme sesa mu keqpërdor mjetet e memorialeve”.
Ganimete Musliu pyeti drejtorin Zogaj sa mjete saktësisht kërkohen për restaurimin e shtëpive të rezistencës.
“E pashe që keni përmendë disa memoriale dhe disa projekte. Po kërkohen mjete urgjent për restaurimin dhe konservimin e shtëpive të rezistencës. Sa mjete duhen saktë”.
Kurse kryetari i këtij komisioni, Muharrem Nitaj, kërkoi nga drejtuesi Zogaj ta sqarojë gjendjen në të cilën e ka gjetur agjencinë dhe të tregojë se çfarë ka bërë gjatë këtyre muajve që është në krye të detyrës.
“Po kërkoj nga z.Zogaj si drejtues i kësaj agjencie ta bëjë një informatë si e ka gjetë gjendjen dhe çfarë ka bërë gjatë këtyre muajve që është në krye të kësaj detyre”.
Zogaj u përgjigj në pyetjen se edhe sa mjete duhen për përfundimin e komplekseve.
“Nuk mund të them as përafërsisht duke llogaritur se përveç shumë kërkesave për ndërtime të reja, i kemi dy projekte shumë kapitale. Është projekti “Adem Jashari”, ku parashihen 21 milionë euro investime në atë projekt dhe e kemi projektin tjetër që Ministria e Planifikimit Hapësinor e ka shpallë si zonë të interesit të veçantë Malet e Berishës, Kleçkës dhe Divjakës, ku kemi edhe një projekt për atë hapësirë që kushton rreth 22 milionë”.
“Vetëm këto dy projekte i kemi me një shumë të madhe që është vështirë të realizohen me buxhetin e Kosovës por duke llogaritur në mundësinë e donacioneve mendojmë që shpejt do t’i përfundojmë këto projekte”.
Rreth projektit për Adem Jasharin, Zogaj tha se nuk është realizuar ende për shkak të kostos së lartë prej 6 milionë eurosh që e kanë kërkuar kompania kontraktuese.
“Agjencia e ka pasë një projekt ku është zgjedhur një kompani për një tender për konservimin e shtëpive dhe ai projekt që ka kushtu rreth 600 mijë euro është bërë dhe nga 2015-2016 është i gatshëm ai projekt që ka një kosto rreth 6 milionë.
“Ky projekt që është bërë më heret nuk është realizu deri tash për shkak se ka kushtu 6 milionë, kurse në vazhdimësi është premtu se do të votohet Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari”, dhe duke llogaritur koston kemi llogaritë 1 milion-1 milion e 600. Edhe pse një takim që kam pasë me ministrin e Financave, ai është deklaru që do të na mbështes me mjete”.
Zogaj tha se Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka në menaxhim 121 komplekse.
“Ne si agjenci i kemi diku 121 komplekse memoriale që kanë kalu automatikisht nga ministria e ambientit në agjencinë tonë. 121 komplekse ka qenë e pamundur më i mirëmbajt me këtë buxhet”.