Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar Qarkoren e parë buxhetore 2019/01 të Kuvendit të Kosovës.
Emrush Haxhiu, drejtor i Administratës, tha se kanë bërë propozime në kryesi lidhur me zyrat e deputetëve, mirëpo kjo nuk është marrë parasysh.
“Sa u përket investimeve kapitale, presidenca ka një pjesë të madhe të hapësirës që e ka zënë. Sa i përket vendosjes së deputetëve, vendos kryesia. Ne kemi bërë propozime në kryesi, mirëpo ata nuk janë marrë me këtë çështje. Ne e dimë që nuk ka zyre, mirëpo nuk mund të bëjmë më shumë”.
Lidhur me shpenzimet e Kuvendit ai tha se shpenzimet janë në kufij buxhetorë, raporton Ekonomia Online.
“Kërkesat tona buxhetore janë në përputhje me Ministrinë e Financave. Për shkak të ndryshimeve që janë bërë në kuadër të grupeve parlamentare, ka ndodhë që të ketë implikime buxhetore. Sipas programeve jemi në kufi me planet buxhetore”.
Safete Hadergjonaj tha se Kuvendi duhet të ketë zyra për deputetë.
“Që 14 vjet deputete në parlament edhe hala s’pata vend ku m’i lon dokumentet e mia. Unë asnjëherë nuk kam marrë arsyetim nga administrata se çka po ndodhë. Fatkeqësia është se duhet me i bajtë të gjitha dokumentet dhe kjo nuk i intereson askujt, mirëpo është shqetësuese”.
Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se mungesa e zyreve është e paarsyeshme.
“Nuk ka vend pune pa zyre, nuk është në rregull mos me pasë zyre”.