Komisioni për Buxhet miraton propozimet për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit Pensional

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 14:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar propozimet për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të kursimeve Pensionale si dhe për emërimin e kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Në këtë mbledhje po ashtu është formuar një grup i ri punues i cili do ta caktojë shumën e pagesës për një anëtar të komisionit për Kërkesa Pronësore dhe për  dy anëtar të komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, për anëtarët e komisionit paraqiti propozimin e Komisionit për Përzgjedhje të anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Paneli zgjedhor ka propozuar Ruzhdi Morinën, Behxhet Halitin, Driton Qehajan, Ymer Ymerin.

“Në bazë të CV-ve që kanë këta anëtarë të propozuar për bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale kuptohet se kandidatët e propozuar i plotësojnë kushtet dhe kriteret e domosdoshme”.

Me 7 vota për, 1 abstenim dhe 1 kundër, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka rekomanduar Osman Vishajn për kryetar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

“Në bazë të dokumentacioneve dhe CV-ve që i është bashkangjitur materialit, shohim që i plotëson të gjitha kushtet formale të parapara”, tha Safete Hadërgjonaj.

Mbështetje për Vishajn premtoi deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Ne si PSD do ta mbështesim Osman Vishajn sepse e njohim. Qeveritë zakonisht bijnë militantë, por ajo që di është si Osmani është i përgatitur dhe ka integritet profesional të jashtëzakonshëm”.

Për shkak të mosmbajtjes së asnjë mbledhje të grupit punues të përbërë nga Mërgim Lushtaku dhe Arbërie Nagavci, Komisioni për Buxhet dhe Financa formoi një grup të ri punues i cili do të merret me  caktimin e shumës së pagesës për një anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe dy anëtar të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, raporton EO.

Safete Hadërgjonaj tha se komisioni nuk ka arritur të mbajë asnjë takim.

“Komisioni ka formuar një grup punues, por nuk ka arritur të mbajë asnjë takim”.

Mërgim Lushtaku tha se grupi nuk ka arritur të mbajë asnjë takim për shkak të pushimeve.

“Për shkak të pushimeve nuk kemi arritë me caktu një takim. Kemi thënë se më mirë është që të vijë në komision. Nuk kemi ndonjë mendim konkret ose të na jepet edhe një muaj afat që të japim një mendim konkret. Kërkoj që të krijohet një grup punues e këtij grupi t’i shtohen edhe dy anëtarë”.

Anëtarja tjetër e këtij grupi, Arbërie Nagavci, tha se fillimisht nuk ka qenë e njoftuar se është pjesë e këtij grupi. Nagavci tha se çështja e pagesës duhet të rregullohet me ligj.

“Për mua është e papranueshme që të propozojmë paga për persona të caktuar. Duhet të rregullohet në mënyrë ligjore, nuk kam pasë njohuri që të jem pjesë e grupit punues. Meqenëse nuk jam e bindur se kjo është mënyra e caktimit të pagës”.

Grupi i ri punues përbëhet nga  Fikrim Damka,  Mërgimi Lushtaku dhe Blerim Kuqi.

Të ngjashme