Presidenti Hashim Thaçi përsëri i ka reaguar Shpejtim Bulliqit, drejtuesit të Komisionit për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili pas një vizite në Slloveni dhe Kroaci, ka thënë se ka gjetur dëshmi që vërtetojnë se vendi ka humbur territor me procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar presidenti Hashim Thaçi I cili ka thënë se Bulliqi po e trajton shtetin si pronë private dhe nuk po ofron asnjë fakt për të dëshmuar humbjen e territorit. Por, kolegu i Bulliqit, Florim Isufi ka thënë për Express se nuk duan të lëshohen në deklarata politike duke i reaguar Presidentit.
Zhurmë të kotë të atyre që po bllokojnë vendin e ka quajtur presidenti Hashim Thaci punën e komisionit të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, i cili pohon se ka gjetje të reja që vërteteojnë se Kosova ka humbur tokë në raport me Malin e Zi.
Florim Isufi nga komisioni për rishikimin e demarkacionit thotë se presidenti mund të thotë cfarë të dojë, por komisioni nuk lëshohet në deklarata politike dhe se nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën.
Kryesuesi i Komisionit për rishikimin e kufirit të Malit të Zi, Shpejtim Bulliqi, tha dje se komisionit i tij ka gjetje që konfirmojnë se marrëveshja e Demarkacionit, e nënshkruar në vitin 2015 nuk është e saktë.
E pas kësaj, Presidenti i vendit reagoi për të disatën herë. Ai edhe më tutje e sheh komisionin e ri të Demarkacionit si të kotë, të panevojshëm dhe mosratifikimin e demarkimit si bllokadë për liberalizimin e vizave.
Florim Isufi, anëtar i komisionit për Demarkacion, për Gazetën Express thotë se nuk mund të lëshohen me deklarata politike për t’iu kundërpërgjigjur pohimeve të presidentit Thaci.
“Presidenti është i pari i vendit dhe ka të drejtë ekskluzive për me udhëheq me vendin dhe me proceset të cilat shkojnë në të mirë të vendit”.
Sa i përket komisionit tonë, ne nuk kemi të bëjmë asgjë me politikën. Jemi komision profesional dhe absolutisht nuk guxojmë të lëshohemi në vlerësime politike për të cuar përpara ose për ta dëmtuar procesin” është shprehur Isufi.
Ai shton se krejt cfarë ka për detyrë komisioni i angazhuar nga kryeministri Ramush Haradinaj është nxjerrja e një raporti për kufirin me Malin e Zi, dhe pastaj është në duar të politikës qëndrimi i tyre.
Edhe pse komisioni i ri kryesohet nga ish-deputeti Shpejtim Bulliqi, i cili kishte qëndrim politik të tijin përgjatë mandatit të kaluar, Isufi thotë se komisioni nuk ka asgjë të bëjë me politikën.
“Ne do ta bëjmë një raport dhe raporti do t’i shkojë politikës. Nuk do të thotë se raporti ynë të ketë përkrahje politike. Presidenti vendosë vetë, mund ta përkrahë, mund edhe të mos e përkrahë. Por, pa dalë raporti final askush nuk mund ta dijë se cka po ndodhë”, është shprehur ai.
Sikurse Bulliqi, edhe Isufi thotë se komisioni ka gjetje të reja, të cilat ishin ta panjohura edhe për vetë ata.
“Në pjesën tonë profesionale, sa më shumë që punon, aq më shumë ke të gjetura që mund ta çojnë procesin.