Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka vendosur që t’i dërgojë letër zyrës së sekretarit të kuvendit dhe prokurimit të kuvendit që ta hulumtojë tregun që të qartësohet analiza e buxhetit për kompaninë e auditimit në mënyrë që të shtohet buxheti dhe të rritet interesimi i kompanive për të bërë auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike.
Shuma e deritanishme me të cilën është shpallur tenderi për këto kompani ishte 30 mijë euro dhe ka dështuar 3 herë, për shkak të mosinteresimit të kompanive.
Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha se pas 3 herave të dështuara do të shpallet përsëri tender për kompani të auditimit për auditim të raporteve financiare, raporton Ekonomia Online.
“Ne në janar patëm rekomanduar administratës për të shpallur tender për auditimin e financave të partive politike dhe 3 shpallje kanë dështuar se s’ka aplikuar askush dhe tash jemi në një fazë që duhet t’i japim një drejtim. Arsye duket se është shuma e parave 30 mijë euro dhe për kompanitë e auditimit nuk janë të interesuara. Do të kërkojmë nga sekretari i kuvendit që të shpallet tenderi”.
Avdullah Hoti tha se duhet të analizohet në detaje ndarja e buxhetit, raporton EO.
“Ne nuk kemi vlerësim as se për çka janë ndarë ato 30 mijë euro. Është ndarë shuma pa analizë. Duhet të shikohen çmimet në treg. Ne duhet të kërkojmë nga prokurimi i kuvendit që të analizojnë lidhur me ndarjen e buxhetit për kompanitë e auditimit”.
Andin Hoti tha se kompanitë duhet ta arsyetojnë shumën të cilën e kërkojnë.
“Po e shoh një raport që një kompani që i ka kërkuar 85 mijë euro, dhe unë mendoj që këto kompani duhet t’i arsyetojnë pse kërkojnë shuma të tilla”.