Komisioni për Legjislacion dhe Mandate ka votuar ndryshimet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mbledhje, për Raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020, kanë raportuar Beshir Islami, kryesues i Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, dhe U.D. Drejtores Ekzekutive, Anita Alaj –Kalanderi.
Anëtarët e këtij komisioni, ndër tjera, janë njoftuar se kjo agjenci vepron në 21 qytete të Kosovës, me 7 zyre regjionale, dhe 14 mobile.
Zyrtarët e këtij agjensioni, kanë folur edhe për sfidat, si mungesa e buxhetit, që po ua pamundëson shtrirjen edhe në komuna të tjera, për t’iu ofruar qytetarëve ndihmë juridike falas.
Adnan Rrustemi kryetar i Komisionit, tha se nuk ka propozime të amendamenteve nga deputetët, prandaj edhe ka kërkuar miratimin e menjëhershëm.
“Amendamente nuk ka nga deputetët e Kuvendit. Ka ndryshime të vogla por të rëndësishme. Të kalohet propozimi më lexim të dytë në Kuvend pas përfundimit të leximit të parë”.
Anëtari i Komisionit, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tha se për shkak të çështjes së praktikës do të ishte mirë që të formohej një grup punues brenda Komisionit.
“Po të kishte amendamente do të krijohej një grup punuese ku do të trajtoheshin ato”.
Edhe deputeti Hydajet Hysenaj tha se do të duhej që të kishte një grup punues para kalimit në lexim të dytë të këtij ndryshimi.
Komisioni gjithashtu rekomandoi që të miratohet në parim Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë̈ Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
“Këtë propozim ndryshim e ka bërë Ministria e Drejtësisë dhe a ka bërë ndonjë konsultim më dikë me prokurorinë, gjyqtarët apo diçka e tillë ka pyetur”, Hajdar Beqa anëtar i Komisionit nga PDK.
“Është ndryshuar vetëm një term, por që është i rëndësishëm”, ka sqaruar kryetari Rrustemi.
Përderisa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar që të ftohet ministrja Albulena Haxhiu të ftohet për të sqaruar se cilat ndryshime janë bërë dhe pse.
“…të bëhet ky ndryshim kaq shpejt është e pamundur”, tha ai.
“Ka qenë një lëshim teknik, por që ka qenë pengesë për trajtimin e rasteve”, tha kryetari Rrustemi.
“Nëse është vetëm lëshim teknik pra e tejkalojmë. Por nëse ka ndryshime tjera duhet ta thërrasim ministren për shpjegim, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Selmanaj tha se po shihet që nuk është ndryshimi vetëm gjuhësor, raporton EO.
Rrustemi ka propozuar që shqyrtimi i kësaj pike të shtyhet për mbledhjen e radhës.
Komisioni ka marrë vendim që të shpallet konkurs për zgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë̈ Kundër Korrupsionit
“Kriteret e konkursit janë ligjore dhe nuk mund të themi asgjë më shumë në këtë drejtim. Thjeshtë duhet ta marrim vendimin me shpallë apo jo. Meqenëse jemi 6 muaj para skadimit të afatit është mirë që të procedojmë”, tha kryetari Rrustemi.
Ndërkaq, Raporti vjetor i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020, nuk është miratuar. Ky raport do të procedohet në seancë plenare me rekomandimin për mosvotim.
Në këtë mbledhje, është miratuar edhe Projektligji nr.08/L-002 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit nr.04/L-123 të Procedurës Penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-091, i cili do të procedohet në seancë plenare për miratim në lexim të dytë.
Kurse, shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, është shtyrë për mbledhjen e radhës.