Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në ministri deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së (KPPMSMFSK), në krye me deputetin Haxhi Shala, kryetar i Komisionit.
Në takimin e përbashkët të deputetëve të Komisionit PPMSMFSK të Parlamentit të Kosovës dhe krerëve të Ministrisë dhe FSK-së ishin të pranishëm edhe drejtori dhe zëvendës drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për MFSK dhe FSK (NALT).
Fillimisht ministri Berisha falënderoi të gjithë deputetët pa dallime partiake, për përkrahjen dhe votimin që i kanë bërë në parlament leximit të parë të pakos së projektligjeve për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Në këtë takim informues u bënë prezantime më të hollësishme për pikat konkrete se ku do të ketë ndryshime thelbësore si dhe u prezantuan fazat e zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve të FSK-së me mision të ri.
Nga deputetët u parashtruan pyetje të ndryshme dhe me interes në të cilat dhanë shpjegimet e tyre ministri, komandanti i FSK-së dhe specialistët e fushës. Deputetët shprehën falënderimin për mundësinë e dhënë që për pika të ndryshme të projektligjeve të diskutohet konkretisht dhe nga afër.