Komisioni për Shëndetësi sheh renovimet në Onkologji – Ka nevojë edhe për shtim të stafit, aparaturave e barnave esenciale

Prishtinë | 05 Kor 2024 | 12:58 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka vizituar të premten Klinikën e Onkologjisë në QKUK, me ç’rast u njohën nga afër me punën dhe sfidat e kësaj klinike, raporton Ekonomia Online.

Ligjvënësit kosovarë vlerësuan se kushtet për pacientët janë përmirësuar dukshëm, por ka nevojë edhe për shtim të stafit, pajisje e furnizim me barna.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku, ka thënë se është bërë një punë dhe kontribut i madh për përmirësimin e kushteve në këtë klinikë.

“Kemi ardhur për të parë renovimin dhe kushtet për trajtimin e pacientëve. Dua të bëhet e ditur që vërtet kontribut të madh kanë dhënë shumë deputetët, me vështirësitë qe jemi ballafaquar e di që jeta juaj është bërë e ngushtë me pacientët, ju janë bërë si familje. Ju përgëzoj juve si staf për të gjithë kushtet e krijuara. Çka ne presim është që empatia, sepse ju bashkëvuani me pacientët. Ne duhet të përçojmë mesazhe pozitive për jetë”.

“Dëshiroj të dijë cilat janë kërkesat e juaja, çka mundemi ne bashkë me bë. Edhe qytetarët kanë nevojë që kërkesat e tyre të përmbushen. Në mbështetje të stafit secili ka rolin e tyre të rëndësishme. Ndryshimet në infrastrukturë dhe pajisje po shihet që janë të mëdha. Dua të ndalem edhe tek resurset humane, duhet të rrisim numrin e tyre”, tha ajo.

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se kushtet për pacientët janë përmirësuar dukshëm, dhe sipas tij, pacientët kosovarë tashmë nuk nevojë për të dalë jashtë vendit për trajtim.

Kurtishi, githashtu, ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është bërë përurimi i sistemit laserik C-RAD të gjurmimit optik 3D, duke e bërë kështu këtë institucion të vetmin në rajon me këtë teknologji të avancuar.

“Është e vërtetë që është bërë një punë e jashtëzakonshme, duke filluar nga mirëmbajtësi i objektit e deri tek stafi mjekësor. 99,5 për qind kryhen shërbimet publike, trajtojmë 250-300 pacientë në ditë me kimioterapi. Në këtë mënyrë Onkologjia i përmbush të gjitha nevojat për pacientët. Me kapacitetet që i kemi po mundohemi që t’i trajtojmë të gjithë pacientët pa pasur nevojë për t’u trajtuar jashtë Kosovës. Duhet që mungesat e stafit të përmbushen që trajtimi të jetë korrekt dhe adekuat”, tha drejtori i Onkologjisë.

“Kemi 92 për qind të barnave esenciale të pranishme në klinikën tonë. Mendojmë që në muajin gusht dhe shtator të kemi furnizim të mjaftueshëm të barnave dhe qasja e tyre të jetë e lehtë. Me barnat që i kemi në dispozicion ne furnizohemi 100 për qind, por nëse ka mungesë i zëvendësojmë me barna të ngjashme. Lista e pritjes në kimioterapi është zero. Problem kemi fizikantët që i kemi vetëm tre dhe katër praktikantë. Nevoja është edhe më e madhe”, ka thënë Kurtishi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, tha se po punojmë që të ofrojnë sa më shumë kushte pacientëve. “Kjo është çka kemi mundur me mbërri me kushtet sa më të mira”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, ka potencuar se ka ndryshime, por sipas tij, janë të pamjaftueshme edhe pse shpenzime nga buxheti shtetëror është milionësh.

“Kemi vlerësim për punën, është e vërtetë që kjo klinikë është në fokus sidomos në Kuvend, më vjen mirë që po e shoh shtim të stafit edhe pse keni pasur probleme në fillim. Ne i kemi përcjell punën edhe renovimin e shohim si domosdoshmëri, por nuk është e mjaftueshme. Investimet kur të bëhen duhet të bëhet të plota që të mos ketë probleme dhe njerëzit të mos kenë ankesa”, tha ish-ministri i Shëndetësisë.

“Një pikë për t’u diskutuar është lista e pritjes e cila shkakton problematika të mëdha, por edhe për trajtimet në çmimet e barnave, shpenzime ka të mëdha milionësh nga buxheti i Kosovës  dhe nuk ka aq kushte për ato shpenzime”, tha Zemaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se përkundër projektligjit për harmonizimin e çmimeve të barnave ende ka rritje të çmimeve dhe ka mungesë të tyre.

“Sa herë që kemi ardhur në vizitë, lavdet për stafin e Onkologjisë nuk mungojnë. Me sa e mbaj mend ky është viti i tretë që bëhet renovim. Por përtej fasadës ka nevojë edhe për rritjen e kapaciteteve, për aparatura të reja dhe zgjerim të barnave esenciale për pacientët. Ka pasur lista të gjata për kimioterapi dhe pacientët janë detyruar që të presin deri në tre muaj për të marrë kimioterapi në Shqipëri, Maqedoni”.

“Kemi ardhur për t’u ballafaquar me kërkesat e juaja. Përderisa është rritur buxheti i çmimeve të barnave ende ka ankesa nga pacientët se barnat kanë vazhduar të jenë me çmime të shtrenjta”, tha Haxhiu.

Të ngjashme