Ekonomia Online
FUNDIT

MSh shënon Ditën Botërore Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës

MSh shënon Ditën Botërore Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës

Më 17 nëntor shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, një ditë e dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit, promovimin e masave parandaluese dhe nxitjen e veprimeve globale drejt eliminimit të një sëmundjeje pothuajse tërësisht të parandalueshme. Këtë vit, kjo ditë shënohet me moton “Vepro Tani: Zhduke Kancerin e Qafës së Mitrës”, duke theksuar […]

Më 17 nëntor shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, një ditë e dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit, promovimin e masave parandaluese dhe nxitjen e veprimeve globale drejt eliminimit të një sëmundjeje pothuajse tërësisht të parandalueshme. Këtë vit, kjo ditë shënohet me moton “Vepro Tani: Zhduke Kancerin e Qafës së Mitrës”, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit, skriningut dhe zbulimit të hershëm si mënyrat më efektive për të ulur incidencën dhe vdekshmërinë.

Kanceri i qafës së mitrës mbetet një ndër kanceret më të zakonshëm tek gratë, duke prekur miliona gra në botë. Faktor kryesor i zhvillimit të tij është infeksioni me HPV (Human Papillomavirus), i cili transmetohet seksualisht. Edhe pse shumica e infeksioneve eliminohen natyrshëm nga organizmi, tipet e rrezikut të lartë të HPV-së mund të çojnë në ndryshime qelizore që përfundimisht zhvillohen në kancer.

Sipas të dhënave të OBSH-së, vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 660,000 raste të reja dhe rreth 350,000 vdekje, ku 94% e tyre ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për shkak të mungesës së vaksinimit, skriningut dhe trajtimit të hershëm.

Edhe në Kosovë, kanceri i qafës së mitrës vazhdon të jetë ndër llojet më të përhapura të kancerit tek gratë, duke u renditur i dyti pas kancerit të gjirit. Sipas të dhënave të fundit:

Në vitin 2020 janë regjistruar 108 raste,

Në vitin 2023 janë regjistruar 167 raste, numri më i lartë gjatë periudhës 2019–2023,

Ndërsa në vitin 2024 janë raportuar 140 raste, që përbëjnë 3.0% të të gjitha rasteve të kancerit; nga 3644 rastet e reja, 124 raste (3.4%) lidhen me kancerin e qafës së mitrës.

Për t’iu përgjigjur këtij shqetësimi të rëndësishëm shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar Planin e Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028. Plani synon të forcojë parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e kësaj sëmundjeje, duke u harmonizuar me objektivat globale të OBSH-së dhe duke kontribuar në iniciativën ndërkombëtare për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës si problem të shëndetit publik.

Ministria e Shëndetësisë rithekson rëndësinë e vaksinimit kundër HPV-së, kryerjes së rregullt të testeve të skriningut dhe informimit të vazhdueshëm të grave dhe vajzave, si hapa kyç për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës.

Të ngjashme