Ekonomia Online
FUNDIT

Reshitaj kritikon gjendjen në shëndetësi: Mbi 12 mijë pacientë në lista të pritjes në 16 klinika të QKUK-së

Reshitaj kritikon gjendjen në shëndetësi: Mbi 12 mijë pacientë në lista të pritjes në 16 klinika të QKUK-së

Deputetja e LDK-së, Arbena Reshitaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor, duke thënë se mbi 12 mijë pacientë kanë qenë në lista të pritjes në vetëm 16 klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në fund të vitit 2025, raporton Ekonomia Online.

Gjatë interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që kishte mbetur katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, Reshitaj tha se dobësitë e sistemit shëndetësor janë të pranishme nga kujdesi parësor deri te institucionet e nivelit terciar.

Ajo theksoi se kujdesi parësor shëndetësor duhet të jetë baza e sistemit, ndërsa kritikoi numrin e ulët të mjekëve që zgjedhin specializimin në mjekësi familjare.

“Sot dobësitë shtrihen pothuajse në çdo hallkë të sistemit shëndetësor. Nga qendrat e mjekësisë familjare tek spitalet rajonale e deri tek QKUK-ja, e cila, fatkeqësisht, mbingarkohet me punë. Ministria mund të flasë për reformat, nuk mund të flasë për reforma të qëndrueshme. Kur baza e sistemit vazhdon të jetë e dobët. Qytetari që nesër mund të jetë pacient me një sëmundje malinje, takimin e parë do të duhej ta kishte me mjekun familjar. Prandaj, kujdesi i parësor shëndetësor është themeli i shëndetësisë. Por mungesa e angazhimit serioz në këtë bazament të shëndetësisë e dëshmon edhe me rastin e specializantëve të cilët, ndonëse krijohet kushte dhe mundësi për specializimin në mjekësi familjare, të marrin ka 4 ose 7 vetë”, tha ajo.

Reshitaj ngriti shqetësimin edhe për listat e gjata të pritjes në QKUK, duke kërkuar përgjegjësi për pasojat që, sipas saj, pritjet e zgjatura po u shkaktojnë pacientëve.

“Kjo tregon për demotivimin apo mosmotivimin e kësaj qeverie për të krijuar mundësi që mjekët tanë ta zgjedhin edhe këtë specializim shumë të rëndësishëm. Në fund të vitit 2025, vetëm në 16 klinika të QKUK-së, të dashur qytetarë, vetëm në 16 klinika të QKUK-së, mbi 12 mije pacientë ishin në lista të pritjes. Dhe, siç e dini, vazhdojnë edhe deklaratat e mjekëve, të cilët thonë se për shkak të pritjeve të stërzgjatura, pacientëve po u përkeqësohet gjendja shëndetësore. Dhe më thoni mua, kush mori deri sot përgjegjësi për gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të pacientëve të cilët kanë pritur me muaj e vite të tëra për një trajtim shëndetësor?”, tha ajo.

Të ngjashme