Dritat në shtëpinë e Qemajl Fetahut dhe bashkëshortes së tij, Shpresës, një herë në javë ndizen para se të lindë dielli. Çdo të enjte, çifti nga Gjilani niset në orën 5 të mëngjesit drejt Prishtinës, për të zënë vend sa më herët në radhën për trajtim në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Buxheti për barnat rritet, pacientët me kancer ende i blejnë disa vetë

Kjo rutinë e re ka nisur para shtatë muajsh, kur Shpresa u diagnostikua me kancer në gji. Përtej gjendjes shëndetësore dhe ngarkesës emocionale, ata po vuajnë edhe financiarisht.
Së fundi, njëri nga barnat që nevojitet për trajtimin e Shpresës ka munguar në barnatoren e Klinikës së Onkologjisë dhe atë duhet ta gjejnë në barnatore private.
Qemajli nuk e mban mend emrin e barit, por koston e tij e di mirë: nga 140 deri në 200 euro.
“Gruaja pa punë, unë pa punë. S'dimë ku t’i marrim ato para. Po duhet t’i marrim borxh”, thotë Qemajli.
Si Qemajli, edhe shumë të tjerë presin rendin bashkë me të afërmit e tyre ulur në 11 karriget e drurit para Klinikës së Onkologjisë.
Gjatë tri ditëve që Radio Evropa e Lirë qëndroi pranë Klinikës, disa prej tyre treguan se janë detyruar të blejnë vetë barna dhe pajisje mjekësore, ndonëse janë pjesë e Listës së Barnave Esenciale dhe do të duhej të jenë të disponueshme në klinikë.
Çka është Lista e Barnave Esenciale?
Kur një bar mungon edhe në barnatore private, pacientëve mund t’u duhet të presin për trajtim. Një grua i tregoi REL-it, se motra e saj, 46-vjeçare, e cila trajtohet në QKUK prej gjashtë vjetësh priti rreth një muaj për të marrë një bar të quajtur Zometa. Ky bar, i cili që ul rrezikun e frakturave kur kanceri prek kockat, mungonte edhe në Klinikë edhe në barnatore private.
Gjatë kësaj kohe, trajtimi i saj u shty. Sipas familjares, mjeku i kishte thënë se vonesa nuk do të ndikonte shumë dhe ajo nuk e di nëse mungesa e barit ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të motrës.
“E ka vlerën shumë të madhe dhe nuk e posedojnë as barnatoret private. Mjeku i saj i ka thënë se nuk është terapi që mund të zëvendësohet me diçka tjetër, kështu që duhet të presë”, thotë ajo.
Disa nga personat që vuanin nga sëmundja e kancerit, megjithatë, i thanë REL-it se jo gjithmonë u duhet të blejnë vetë barnat për trajtim.
Valbona Emërllahu nga Ferizaj, e cila trajtohet për kancer të pankreasit, thotë se në fillim të trajtimit kishte paguar rreth 400 euro për kimioterapi. Për terapitë e mëvonshme, megjithatë, ka arritur t’i sigurojë barnat në QKUK.
Ndonëse mungesat e barnave në Onkologji janë raportuar vazhdimisht ndër vite, ato morën vëmendje më të madhe gjatë tetorit, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kur disa pacientë ngritën publikisht shqetësimin për mungesën e përsëritur të barnave që u nevojiteshin për trajtim.
Të enjten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është ftuar në interperlancë në Kuvendin e Kosovës pikërisht për shkak të mungesës së barnave.
Si erdhi situata deri këtu?
Për të kuptuar saktësisht se cilat barna kanë munguar, për sa kohë dhe sa pacientë janë prekur – qoftë përmes shtyrjes së terapisë apo detyrimit për t’i blerë vetë – Radio Evropa e Lirë ka pyetur Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), përgjegjës për organizimin e furnizimit me barna në institucionet shëndetësore. REL-i i ka dërguar pyetjet para katër javësh, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas raportimeve të mediave, gjatë muajve të fundit janë evidentuar mungesa të disa barnave, përfshirë Palbociclibin, Ribociclibin, Avastinin, Dabrafenibin, Sevelamerin dhe Bicalutamidin.
Mungesa e barnave u konfirmua edhe edhe një auditim i brendshëm i SHSKUK-së për periudhën 2025–korrik 2026. Auditimi i publikuar më 30 shtator, identifikoi mangësi në planifikimin, furnizimin dhe menaxhimin e barnave. Sipas SHSKUK, këto mungesa kanë ndikuar në shërbimet klinike dhe kanë detyruar pacientët t’i sigurojnë vetë disa barna e materiale mjekësore.
Nxitur nga raportimet e mediave dhe ankesat e qytetarëve, Avokati i Popullit tashmë ka nisur një hetim për vështirësitë në sigurimin e barnave nga Lista Esenciale.
Në një përgjigje për REL-in, ky institucion ka treguar se hetimi do të përfshijë 20 produkte - 15 barna esenciale dhe pesë materiale shpenzuese, të cilat do të përzgjidhen në mënyrë rastësore - dhe do të shqyrtojë edhe ndikimin e mungesave te pacientët.
“Raporti do të trajtojë mungesën e barnave jo vetëm si çështje të furnizimit apo të menaxhimit të stokut, por edhe si rezultat të mundshëm të mënyrës se si funksionon i gjithë sistemi i sigurimit dhe shpërndarjes së barnave”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
Ka buxhet, s’ka barna
Problemet me furnizimin me barna nisin shumë para se pacientët të kenë nevojë të drejtohen te barnatoret private.
Ndonëse për këtë vit Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë rreth 70 milionë euro për barnat esenciale, përfshirë 22 milionë për ato onkologjike, shuma më e madhe deri tash, mungesat vazhdojnë t’i ndiejnë pacientët.
Saranda Ramaj, gazetare dhe magjistre e politikave dhe menaxhimit shëndetësor, argumenton se mënyra se si menaxhohen këto mjete është po aq e rëndësishme sa vetë shuma e ndarë.
“Nga analiza që unë e bëj vazhdimisht dhe e përcjell mënyrën se si shpenzohet ky buxhet, fatkeqësisht shpeshherë mungesa e barnave nuk vjen si pasojë e mungesës së buxhetit”, thotë Ramaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, problemet nisin në planifikim të nevojave dhe përcillen me vonesa në nisjen e procedurave të prokurimit.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar vlerësim për menaxhimin e furnizimit me barna edhe nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo kjo e fundit nuk ka pranuar të komentojë pasi ka thënë se menaxhimi dhe furnizimi i Klinikave është përgjegjësi e SHSKUK-së.
Një nga problemet kryesore, sipas Ramajt, është hapja e tenderëve për sigurimin e barnave shumë afër momentit kur pritet të shpenzohet stoku ekzistues.
Ajo përmend rastin e Palbociclibit, për të cilin SHSKUK-ja kishte thënë se numri i pacientëve që e përdornin ishte rritur nga 40 në 80. Ramaj thotë se rritja e numrit të pacientëve mund të mos jetë parashikuar saktë në tenderin e parë, por institucioni ka pasur mundësi ta përgatisë më herët kontratën pasuese.
“Një procedurë e prokurimit, nga hapja deri te arritja e mallit në barnatoren qendrore të SHSKUK-së, nëse çdo gjë shkon në rregull, kërkon dy muaj. Hapja e tenderit tre-katër muaj para se të shpenzohet sasia e fundit është një gjë elementare”, thotë ajo.
Ramaj thotë se institucionet duhet ta përcjellin vazhdimisht ritmin e shpenzimit të barnave, veçanërisht të atyre me çmim të lartë, dhe ta përshtatin planifikimin me numrin e pacientëve dhe nevojat reale të klinikave.
Edhe Ardit Dragusha, ekspert i prokurimit nga organizata Democracy Plus, thotë se për ta kuptuar pse një bar nuk arrin te pacienti, duhet të shqyrtohet i gjithë procesi: nga planifikimi i sasisë, te tenderimi dhe nënshkrimi i kontratës, deri te dorëzimi dhe shpërndarja në klinika.
Për t’i ilustruar problemet me planifikimin, ai i referohet dokumentit të SHSKUK-së për prokurimin gjatë vitit 2026. Për 34 kontrata, në vlerë prej rreth 53 milionë eurosh, të gjitha procedurat per lidhjen e kontratave ishin paraparë të nisnin në të njëjtën ditë, më 24 mars 2026.
“Këtu shihet se ky dokument është bërë vetëm sa për ta bërë këtë dokument”, thotë Dragusha.
Sipas tij, po të ishte bërë seriozisht, planifikimi vjetor do të duhej të shtrihej gjatë gjithë vitit, jo vetëm një ditë, duke marrë parasysh nevojat e klinikave dhe kohën që nevojitet për zhvillimin e procedurave dhe lidhjen e kontratave.
Përveç planifikimit, vonesat mund të krijohen edhe gjatë procedurave të prokurimit. Dragusha thotë se procesi mund të zgjatet kur operatorët ekonomikë ankohen ndaj kushteve të tenderit ose vlerësimit të ofertave. Nëse lënda dërgohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), procesit i shtohet edhe koha e shqyrtimit të ankesës.
“Mesatarja për një lëndë që zgjidhet në OSHP vitin e kaluar ka qenë 55 ditë”, tregon ai.
Megjithatë, Ramaj vlerëson se ekzistenca e OSHP-së nuk duhet të përdoret si shpjegim i përgjithshëm për mungesat, pasi institucionet duhet t'i parashikojnë afatet e prokurimit dhe të përcjellin me kohë shpenzimin e kontratave.
Një tjetër problem që Ramaj e lidh me mungesat është mospërputhja mes buxhetit të planifikuar për një bar dhe çmimit me të cilin kompanitë ofrojnë ta furnizojnë institucionin.
Ajo përmend rastin e Avastinit, bar që përdoret për të trajtuar disa lloje të kancerit dhe ndihmon në ngadalësimin e rritjes së tumorit, për të cilin thotë se ka pasur mungesa për rreth tre muaj dhe se një pjesë e pacientëve e kanë ndërprerë trajtimin.
Gjatë vitit 2026, për furnizimin me këtë bar, SHSHKUK-ja u detyrua ta rritë vlerën e tenderit dy herë, në mungesë të ofertave. Në fund, tenderin e fitoi kompania Onyx, që garoi me çmim edhe më të ulët se vlera e tenderit të parë.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë për arsyet e këtij dallimi në çmim, Onyx tha se në procedurën e fundit kishte siguruar kushte më të favorshme të furnizimit nga prodhuesi. Ajo bëri të ditur se furnizimi ende nuk ka përfunduar, por se ka nisur procedurat për realizimin e kontratës.
Ramaj thotë se ky rast ngre shqetësime për mënyrën se si institucionet i përshtatin buxhetet me çmimet e barnave.
“Ministria dhe SHSKUK-ja duhet të kenë komunikim të mirë për çmimoren dhe çmimet tavan. Nëse kompanitë nuk planifikojnë të ofertojnë me një çmim të caktuar, duhet ta njoftojnë institucionin, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje pa vonesa”, thotë ajo.
Edhe Dragusha argumenton se komunikimi ndërmjet zyrave të prokurimit, institucioneve shëndetësore dhe operatorëve ekonomikë është i rëndësishëm, në mënyrë që problemet me çmimet të evidentohen para se të vonohet furnizimi.
Çka parasheh Ligji për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale?
Dragusha thotë se problemet mund të vazhdojnë edhe pas nënshkrimit të kontratës, nëse kompanitë nuk i dorëzojnë barnat brenda afateve të përcaktuara. Sipas tij, institucionet kanë në dispozicion mekanizma ligjorë për të reaguar, përfshirë shkëputjen e kontratës dhe konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit.
“Ky sigurim mund edhe të konfiskohet, por kjo nuk praktikohet”, thotë ai.
Probleme të ngjashme me sigurimin e barnave onkologjike kanë edhe vendet e rajonit.
Mungesat e barnave onkologjike në rajon
E, të gjitha këto probleme kanë bërë që shumë pacientë ndër vite të detyrohen të shpenzojnë paratë e veta për barna që shteti zotohet t’ua sigurojë.
Kush duhet t'i kompensojë pacientët?
Melina Nimani, nga Peja, udhëton drejt Prishtinës me autobus njëherë në javë, pret në radhë për trajtim dhe në fund blen disa barna vetë. Ajo është diagnostifikuar me kancer të gjirit qe gjashtë muaj.
Melina tregon se ka blerë katër barna, secilin nga 80 euro, dhe ka ruajtur faturat për to, me synimin për të kërkuar rimbursim.
Megjithatë, Kosova nuk ka një mekanizëm të tillë shtetëror rimbursimi. Kjo është e pakuptimtë për Ramajn, që insiston se përfshirja e një bari në Listën Esenciale dhe përshkrimi i tij nga mjeku nënkuptojnë që pacienti nuk duhet të paguajë nga xhepi i vet.
“Kur një produkt futet në Listën Esenciale nënkupton që shteti merr përgjegjësi. Nëse e sheh që nuk po arrin me kohë ta blejë, duhet të krijojë mekanizëm që t'i rimbursojë pacientët”, thotë Ramaj.
Ajo pranon se mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe e një sistemi të digjitalizuar të informimit shëndetësor mund ta vështirësojë përcjelljen e shpenzimeve dhe administrimin e rimbursimit. Megjithatë, sipas saj, këto vështirësi nuk e përjashtojnë nevojën për një mekanizëm të tillë.
Sipas saj, rishikimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore mund të krijojë mundësi për rregullimin e këtij procesi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë mund të përcaktojë me udhëzim administrativ mënyrën se si do të realizohet rimbursimi.
“Duhet të gjendet një formë që pacientit të mos i lihet barra financiare për këto produkte”, thotë Ramaj.
Kjo çështje e rimbursimit po trajtohet edhe në hetimin e Avokatit të Popullit, që megjithatë nuk dha detaje meqë raporti ende nuk është përfunduar.
Pasojat, ndërkohë, po i bartin pacientët.
Një grua nga Istogu, që shoqëronte nënën e saj 66-vjeçare në trajtim, tha se pagoi 220 euro për një bar që i duhej nënës së saj. Ngjashëm, bari ishte në Listën e Barnave Esenciale, por mungonte në klinikë.
Familja blen vetë edhe kanilën që lidh infuzionin me portën intravenoze.
“Çdo herë, sa herë vijmë, nga nëntë euro e blejmë kanillën e portës”, thotë ajo.
Familja nuk ka mundësi të rimbursohet për asnjërin prej këtyre shpenzimeve.

















