Ekonomia Online
FUNDIT

Nisin punimet profesionale të Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore

Nisin punimet profesionale të Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore

Me moton “Investojmë në Cilësi – Ndërtojmë Besim”, Ministria e Shëndetësisë ka hapur mbrëmë Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Sot, me pjesëmarrjen e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, konferenca vijoi me prezantime dhe diskutime profesionale, ku ekspertë nga Kosova dhe vende të tjera ndajnë përvojat për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se cilësia për pacientin matet me diagnozën në kohë, trajtimin e sigurt, pritjen më të shkurtër dhe komunikimin e respektueshëm.

“Në qendër të kësaj pune është pacienti. Dhe secili hap apo ndryshim apo investim duhet të jetë në funksion të kësaj”, u shpreh ministri Vitia.

Ai veçoi punën që ka filluar për Sistemin Informativ Shëndetësor dhe rolin e digjitalizimit në koordinimin e kujdesit, vendimmarrjen dhe monitorimin e cilësisë së shërbimeve.

Programi i sotëm përfshin menaxhimin e institucioneve shëndetësore, sigurinë e pacientit, auditet klinike, protokollet e trajtimit dhe inovacionin teknologjik. Përfaqësuesit e pacientëve dhe të shoqërisë civile po kontribuojnë gjithashtu me përvojat dhe propozimet e tyre për përmirësimin e kujdesit.

Synimi i konferencës është që përvojat dhe rekomandimet e ndara gjatë këtyre dy ditëve të gjejnë zbatim në institucionet shëndetësore dhe të sjellin përfitime të prekshme për pacientët.

Të ngjashme