Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë.
Me 6 vota anëtarët e komisionit kanë miratuar ndryshimet në këtë projektligj.
Amandamenti i deputetit Nait Hasani për krijimin e Kishës Ortodokse të Kosovës i ka shkuar Kuvendit pa përkrahjen e komisionit. Ky amandament mori 4 vota për dhe dy abstenime, raporton Ekonomia Online.
Gjithashtu, është miratuar kërkesa që bektashinjtë të kenë bashkësinë e tyre fetare.
Ka kaluar edhe amandamenti i cili kërkon që për tu formuar një bashkësi e re fetare duhet të jenë 100 anëtarë.
Në komision u tha se Lista Serbe ka kërkuar që të ketë pozitën e zëvendësdrejtorit të zyrës në kuadër të Qeverisë, por anëtarët thanë se kërkohet që të jetë vetëm pozita e drejtorit, pa zëvendës.
Kërkesë tjetër e Listës Serbe u tha se ka qenë edhe që ajo t’i ketë dy përfaqësues në komisionin ad-hoc që do të formohet për regjistrimin e bashkësive fetare.
Asnjë nga këto kërkesa të Listës Serbe nuk janë miratuar pasi nga komisioni u vlerësua se nuk janë në harmoni me Ligjin e Shërbimit Civil.
Kryetarja e komisionit, Duda Balje, tha se kanë pasur problem me rekomandimin e Listës Serbe që ka të bëjë me pozitën e zëvendësdrejtorit.
“Nuk e kemi prezencën e deputetes së Listës Serbe. Kanë qenë 14 rekomandime nga ana e tyre. Kemi problem me amandametin per zevendës drejtorin e zyrës. Kemi menduar me qenë një anëtar prej komuniteit serb dhe të tjerëve. Kemi pasur edhe amandamentin e zotit Hasani për me shtu në ligj kishën ortodokse shqiptare. Kemi pas disa amandamente nga ana e Vetëvendosjes, keto kanë qenë më shumë në formë të deklaratës, kjo më shumë ka qenë politike. Ata sot nuk janë me neve, për shumicën e këtyre amandamenteve kemi votuar kundër”.
Teuta Haxhiu nga AAK tha se kërkesa e Listës Serbe nuk është në projektligj dhe ajo është e jashtëligjshme, derisa amandamenet tjera i kanë pranuar.
“Disa amandamente, në vecanti të listës serbe, 12 prej tyre i kemi pranu. Ata kanë kërku një pozitë që nuk është në Projektligj, ata kanë kërkuar diçka të jashtëligjshme. Ata kërkojnë 2 prej 7 anëtarëve te komisionit që krijohet, komision ad-hoc per regjistrimin e bashkësive fetare. Kjo është e padrejtë. Mendoj qe në kordinim me pikën 2.3 të reegullohet edhe 2.1-shi. Për amandamentet e Vetëvendosjes, nuk është specifikuar sakt se në cilin nen me vendos kërkesën e tyre”.
Luljeta Veseli-Gutaj nga PDK tha se kërkesa e deputetëve serbë është diskriminuese.
“E mira e amandamenteve do të ishte me arsyeshmërinë e deputetëve, nuk kemi arsyeshmëri as nga deputët e Listës Serbe, as nga VV-ja e as nga Nait Hasani. Te Lista Serbe, me gjithë respektin që i kemi dhënë, te amandamenti ku ata kërkojnë zëvendës drejtorin ne nuk kemi të drejtë të krijojmë vende pune. Në amandamentin ku kërkohen dy përfaqëues serbë, mendoj që është diskriminuese duke marrë parasysh se përpos komunitetit shqiptar kemi edhe atë boshnjak dhe të tjerët”.
Kryetarja Duda Balje bëri të ditur se bektashijntë do të kenë bashkësinë tyre fetare.
“Do të ulemi të flasim sërish me listën serbe. Ne si grup punues kemi pranu që bektashinjë të kenë bashkësi”.
Lirije Kajtazi nga LDK, tha se kanë menduar që kisha të quhet Kisha Ortodokse e Kosovës.
“Kemi mungesë të subjekte politike. Amandamenti i Nait Hasanit ka arsytimet e veta. Kemi mendu që te jetë kisha ortodokëse e Kosovës”.