Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në mbledhjen e mbajtur ka shqyrtuar edhe një herë Projektligjin për shërbimet postare, pas rekomandimeve të Komisionit për Integrime Evropiane se 5 amandamentet e propozuara janë në kundërshtim me Direktivën evropiane.
Kryetarja e komisionit, Sala Shala-Berisha, tha se në këtë takim duhet që si komision të kenë një qëndrim që do ta paraqesin në kuvend, raporton Ekonomia Online.
Dardan Sejdiu, anëtar i komisionit për Zhvillim Ekonomik, propozoi ndryshimin e disa amendamenteve.
Sejdiu madje propozoi që dërgesat të mos jenë të limituara.
“Gjithashtu propozoj që amandamenti 6, sipas meje ky është i vetmi amendament që mund të hiqet. Tjerat besoj që janë edhe të panevojshme të trajtohen edhe të padobishme për postën. Nuk ka gjë të keqe me lanë pa limit, sepse është shërbim i lehtë e është dorëzim pranim”.
Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha se pajtohet me disa nga ndryshimet e propozuara nga deputeti Sejdiu, raporton EO..
“Unë besoj që Dardan Sejdiu ka të drejtë të amendamenti i 10-të, sepse kështu si është nuk ka kuptim sintaksor. Ne po e bëjmë obligative kompensimin nga qeveria në rast të humbjeve nga shërbimi universal”.
“Tek amendamentet e kontestuara pajtohem që me heq amendamentin 6, sepse e krijon një pozitë të disfavorshme për tregun”.
Mirëpo për ndryshimet e propozuara u shpreh skeptike Hykmete Bajrami.
“Me këtë riformulim të amendamentit 10, por prapë projektligji do të duhet të shkojë në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Mbi 50 për qind e të hyrave të postës hyjnë nga qiraja që i merr nga Telekomi, çka nëse nesër pas nesër privatizohet Telekomi”.
Ndërsa lidhur me obligimin që qeveria të kompensojë humbjet e shërbimit universal, Mimoza Kusari Lila tha se mund të jetë e rrezikshme për buxhetin e Kosovës, raporton EO.
“Duhet me u siguru që me vlerësimin qeveria ia kompenson që me majt një shërbim. Na duhet me pas një mekanizëm kontrollues për shërbimet që i ofron posta. Ekziston një formë e vlerësimit të shërbimeve që e bëjnë për klientë”.
Në anën tjetër Bilall Sherifi tha se me këtë ligj do t’i ofrohen shumë më shumë mundësi operatorit publik.
“E bëjmë një ligj me të cilin atij i ofrojmë mundësi më të mëdhaja, jo rehati se ata rehatinë e kanë pasë në kulminacion”.
E pranishme në shqyrtimin e rekomandimeve ishte edhe kryetarja e komisionit të Integrimit evropian, Blerta Deliu-Kodra.
“Për shkak të mungesës së kuorumit na nuk kemi arritë me mbajt një mbledhje dhe këto amendamente kanë ardh këtu. Në emër të komsionit dua të bëj të qartë që nuk kemi marrë asnjëherë me gju poshtë punën e dikujt”.
“Vota juaj do të vendosë, por qëndrimi i Komisionit të Integrimit evropian është që 5 amendamentet e propozuara nga komisioni janë në kundërshtim me direktivën evropiane”.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka formuar grupin punues i cili do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.