Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shtyrë pikën për Diskutim për Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Planin e Veprimit.
Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, tha se Strategjia është miratuar në mars dhe momentin kur është miratuar kjo strategji është sikur të miratohet një ligj pa e futur fare në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
“Ne nuk guxojmë që të miratojmë diçka me këtë vendim. Unë i kam kërkuar qeverisë që ta shfuqizojnë këtë vendim dhe ta sjellim me vendim tjetër dhe nuk guxojmë të lejojmë vendime të tilla. Ne presim që gjatë kësaj jave qeveria ta shfuqizojë këtë vendim.
Arben Gashi tha se nuk mund të aprovohet një dokument që veçse është në fuqi.
“Problemi juridik i vërejtur është i arsyeshëm dhe ndërtohet një precedent i gabuar që Kuvendi me aprovu një vendim që është në fuqi. Ne aprovojmë një dokument që është në fuqi qe 3 muaj. Kuvendi nuk aprovon dokumente që janë në fuqi. Mendoj që ne duhet t’ia çojmë këtë vërejtje zyrës së kryeministrit dhe ata duhet të sqarojnë”.
Ismajl Kurteshi tha se ky problem ligjor krijon precedent të rrezikshëm.
“Ky problemi ligjor është diçka që krijon një precedent i rrezikshëm dhe sa më shpejt duhet të rregullohet dokumenti në aspektin ligjor. Unë kam pasur shumë të diskutoj në përmbajtje”.
Korab Sejdiu propozoi që vendimi t’i kthehet qeverisë për përmirësim, raporton EO.
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shtyrë pikën për Shqyrtimin në parim të Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme nën arsyetimin se një ligj i njëjtë po diskutohet në qeveri dhe si paketë të votohen nga komisioni.
Ky propozim erdhi nga deputeti Hajdar Beqaj.