Komiteti Ushtarak i NATO-s diskuton për sigurinë në jug të Evropës

Prishtinë | 16 Jan 2018 | 15:54 | Nga

Ka filluar të martën në Bruksel takimi i Komitetit Ushtarak të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të NATO-s, në të cilin po diskutohet për sigurinë në jug të Evropës.

Kryesuesi i takimit, gjenerali Petr Pavel, u tha mediave se takimi paraqet një përgatitje për takimin e ministrave të Mbrojtjes, i cili do të mbahet në shkurt, si dhe për samitin e NATO-s të planifikuar për korrik.

“Bashkëpunimi ushtarak është një segment shumë i rëndësishëm, megjithatë ky bashkëpunim mund të jetë afatgjatë vetëm nëse trajtohet bashkë me zhvillimet politike, ekonomike dhe ato shoqërore”, citon AA gjenerali Pavel.

Ai shtoi se gjatë takimit të parë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për kryeshefat e shtatmadhorive do të japë informacione lidhur me bashkëpunimin mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

Pas kësaj, pritet të bisedohet për sigurinë në jug të Evropës, por edhe për situatën e sigurisë në Lindje të Mesme dhe në Afrikën e Veriut, bashkë me kontributin e NATO-s në koalicionin ndërkombëtar kundër DEASH-it dhe për rolin në Iran.

Në ditën e dytë të takimit do të trajtohen zhvillimet në Ukrainë, por edhe raportet NATO-Gjeorgji.

Pavel njoftoi se në sesionin e fundit të takimit është paraparë një diskutim mbi modernizimin dhe adaptimin e NATO-s, me fokus prioritetet ushtarake të NATO-s.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë, gjenerali Metodija Veliçkovski, po ashtu është i pranishëm në takimin e 178-të të Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Gjenerali Veliçkovski do të marrë pjesë në dy sesionet e para në formatin e Shefave të Shtabeve të vendeve pjesëmarrëse në misionin e “Mbështetjes së Përhershme” dhe vendeve partnere të NATO-s, në të cilat do të mbajë edhe fjalim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme