Komuna e Drenasit nuk i përkrahë, banorët e Çikatovës së Vjetër kërkojnë ndihmë nga Qeveria

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 14:10 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 70 banorë të lagjeve Makolli, Morina dhe Muzhakë të fshatit Çikatovë e Vjetër kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës lidhur me problemet pronësore me komunën e Drenasit dhe  kompaninë Feronikeli.

Habib Makolli, banor i lagjes Makolli,  ka thënë se po protestojnë për shkak se pronat e tyre u sekuestruan që para fillimit të luftës në Kosovë. Ai tha se banorët po kërkojnë kompensimin e pronave, raporton Ekonomia Online.

“Jemi këtu para qeverisë për shkak të pronave që kemi probleme kryesisht me një zinxhirë shumë të fortë duke filluar nga AKP-ja, komuna Drenasit, Gjykata Themelore në Drenas dhe kompania Feronikel. Këto prona janë sekuestruar para lufte, mirëpo deri në vitin 2006-2007 kur është privatizuar Feronikeli këto kanë qenë prona private. Na kemi bë padi, gjykatat vetëm heshtin, i shtyn seancat gjyqësore, zgjat procedura 4-5 vite. Prej qeverisë kërkojmë me këput këtë zinxhirë, AKP- komunë e Drenasit- Gjykata Themelore e Drenasit dhe Feronikel. Ne po kërkojmë kompensim të pronave. Kur u privatizua Feronikeli i kanë marrë pronat nuk na kanë thirr me na pyet asgjë”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, presioni nga komuna dhe Feronikeli janë të përditshme ngase ata kërkojnë të lirohet prona.

Qytetari tjetër, Ismet Makolli tha i revoltuar më këtë gjendje se nuk u ka mbetur rrugë tjetër veçse të largohen nga Kosova.

“Para lufte ka qenë tjetërkush, kanë qenë tjetër masa të dhunshme ka qenë tjetër shtet, na me këtë shtet tonin pushkë nuk kemi me u kthye ktyne nuk na mbetet tjetër vetëm ti marrim rrugët e Evropës apo të lypim  azil. Nuk mundemi na me këta me luftu se kemi vdekë edhe për këtë shtet . Neve na mbetet vetëm me i bo thirrje naj ambasade me na qel rrugë ose rrugëve ilegale se na me qera s’mundemi me jetu kur e kemi pas tokën e shteti jonë na murrë”, ka thënë Makolli.

Banori tjetër, Besim Morina thotë se komuna nuk po u jep kurrfarë përgjegjësie derisa kompania Feronikel ka ofruar një pagesë të cilën se kanë pranuar.

“ Në vitin 90-91 kemi pas biseda për me u pagu prona mirëpo s’është pagu kjo pronë. Kanë qenë përfaqësuesit e familjeve tona, kemi pasë biseda kemi pasë papë në vitin 2007 dhe 2008 ka pas  hulumtime për xehje dhe dame jemi pagu . Kemi pas edhe një propozim  që nuk kemi pranu një marrëveshje 420 euro për ari nga kompania Feronikeli. Bisedimet janë ndërpre këtë vit, komuna nuk na jep kurrfarë përgjegjësie”, tha ai.

Protestuesit i priti në takim një këshillëtare nga kabineti i kryeministrit Haradinaj.

Pas këtij takimi banorët thanë se kjo protestë pati një efekt të vogël.

 “Kjo protestë pati një efekt të vogël, por përfundimin nuk e dimë ende, na priti në takim këshilltarja e energjisë nuk ishte kjo bash pritje sa duhet, por i murrë të dhënat çka kërkojmë ne në këtë protestë. Mbeti që nesër paradite t’ia bimë të dhënat, dokumentacionin çka kem dhe të merret juristi i qeverisë me AKP-në, komunën e Drenasit  dhe Feronikelin . Nesër e dorëzojmë dokumentacionin, na premtuan që para datës 16-të do të marrin diçka vendime mos me prit datën 16 sepse është data e fundit e cila merr vendim për me i liru na pronat”, tha banori Habib Makolli.

Ai tha se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre nga Qeveria, banorët do të vazhdojnë të qëndrojnë në tokat e tyre.

Të ngjashme