Komuna e Drenasit përmbyllë më shumë suksese vitin 2019

Prishtinë | 31 Dhj 2019 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit po e përfundon edhe këtë vit me transparencë e llogaridhënie para qytetarëve të saj. Pas një punë intensive, angazhime e projekte në të mirë të qytetarëve, ky vit po përmbyllet me të arritura të shumta për Drenasin dhe qytetarët e saj. Sigurisht, meritë për këtë kanë edhe vet qytetarët, të cilët Komuna i falënderon që kanë bashkëpunuar për të përmirësuar shërbimin ndaj komunitetit.

Komuna e Drenasit e udhëhequr nga kryetari Ramiz Lladrovci, gjatë këtij viti, ka vazhduar të punojë me transparencë, llogaridhënie dhe që çdo punë të jetë në përputhje dhe në zbatim të ligjit. Të gjitha projektet e planifikuara dhe të miratuara nga Kuvendi Komunal janë realizuar në përpikëri sipas afateve kohore, madje Komuna e Drenasit ka fituar dhjetëra projekte infrastrukturore në të mirë të qytetarëve nga niveli qendror, si granti i performancës mbi 180 mijë euro nga MAPL-ja, granti 100 mijë euro për mjedis, si dhe së fundmi Kryetari Lladrovci është vlerësuar mirënjohje për përfaqësim gjinor në nivel vendi. Po ashtu, në fillim të vitit Drenasi është vlerësuar komuna më transparente në Kosovë nga KDI me përkrahje nga Ambasada Britanike, duke e ranguar kështu të parën në nivel vendi.

Disa nga projektet infrastrukturore të realizuara gjatë vitit 2019 sipas planifikimit buxhetor janë: Rrugët e asfaltuara mbi 33 km; Kanalizimi dhe kolektorët 80,7 km; Trotuare 8 km; Rrugë me zhavorr 11 km; Rrugë me kubëza betoni 1.6 km; Pastrimi i lumenjve 40 km; Ndërtimi i urave automobilistike 4; Tombina 6; Ndriçim publik 8 km; Ndërtimi i rrugës ‘Bregu i Qyqavicës’ 15 km; Rruga transite Kroni i Mbretit-Ferronikel, Shkolla Profesionale në Komoran,  Nënstacioni elektrik, donacioni nga Japonia në vlerë prej 70,000 euro për aparatin e Mamografit, QKMF në Komoran një vit para planifikimit e kyçja me ujësjellës në disa vendbanime e projekte tjera. Po ashtu, madhështinë e sheshit që mban emrin ‘Fehmi Lladrovci’, ia kanë shtuar shtatoret e heronjve, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina, Bedri Shala, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, të gjitha këto shtatore të realizuara me mbështetje të donatorëve, pa shpenzuar mjetet e buxhetit lokal e as atij qendror.

Po ashtu, Komuna e Drenasit ka vazhduar të përkrah fermerët dhe sektorin e bujqësisë përmes shpërndarjes se motokultivatorëve e pajisjeve të tjera, të përmirësoj shërbimet mjekësore duke investuar në pajisje, të mbështesë sportin përmes investimit në infrastrukturën sportive, të përmirësojë arsimin duke investuar në pasurimin e bibliotekave dhe ndarjen e 160 bursave për studentë, e shumë projekte të tjera të cilat pa dyshim kanë përmirësuar dhe lehtësuar jetën e qytetarëve tanë.

Po ashtu, Komuna e Drenasit, me qëllim të përmirësimit të transparencës, çdo raport e publikon ne ueb faqen e Komunës dhe tabelën e shpalljeve në Komunë, po ashtu në fillim të vitit ka miratuar në Kuvendin Komunal Planin për Përmbushjen e Transparencës si dhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal është miratuar  me disa ndryshime edhe Rregullorja Komunale për Transparencë.

Përmes ueb faqes zyrtare janë publikuar të gjitha kontratat e lidhura me operatorët ekonomikë, njoftimet për dhënie të kontratës, nënshkrimi i tyre, kontrata e të gjitha procedurat që lidhen me prokurim. Po ashtu, janë publikuar të gjitha konkurset publike, të gjitha këto që të jenë në shërbim të transparencës para qytetarëve. Pastaj, janë mbajtur debate me publikun, duke e bërë qytetarin pjesëmarrës në vendimmarrje.

Komuna e Drenasit do të vazhdoj të jetë transparente e llogaridhënëse edhe gjatë vitit 2020 për projekte në të mirë të qytetarëve dhe Drenasit, ku se bashku ne mund të ja dalim në realizimin e qëllimeve dhe synimeve të përbashkëta për prosperitet. Kryetari Ramiz Lladrovci dhe stafi i komunës ju urojnë qytetarëve Vitin e Ri 2020, GËZUAR!

Të ngjashme