Komuna e Drenasit ka sqaruar për qytetarët e saj procedurat e Parkut të Biznesit “Drenasi 2”.
Në sqarimin e kësaj komune thuhet se tentimet për t’i marrë meritat për krijimin e zonës ekonomike përballë Parkut të Biznesit në Korroticë të Epërme janë për qëllime politike.
Më poshtë mund ta lexoni sqarimin e plotë të Komunës së Drenasit:
“Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të njoftoj të gjithë qytetarët e saj për procedurat e Parkut të Biznesit “Drenasi 2”.
Krijimi i zonës ekonomike, përball Parkut të Biznesit në Korroticë të Epërme, ka filluar shumë kohë me parë, gjë qe nuk lidhet me udhëheqjen e tanishme të MTI-së, dhe se tentimet për marrjen e meritave, nuk janë gjë tjetër, pos për qëllime politike dhe favorizuese.
Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për aftësimin sa me parë të Qendrës së re të Biznesit (Drenasi 2), shtimit të ri të vendeve të reja të punës dhe lehtësimit maksimal ligjor e të berit biznes.
Ndërsa sa i përket ndërtimit të Shkollës (Qendrës) Profesionale, për aftësim profesional, Komuna e Drenasit ne bashkëpunim me Ministrin e Arsimit, konkretisht, kryetari Ramiz Lladrovci dhe ish-ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami ne takimin e muajit Shkurt të vitit 2017 janë dakorduar dhe e kanë nisur këtë procedurë për ndërtimi kësaj shkolle ( qendre ).
Sipas procedurave, kryetari ka dorëzuar propozim vendimin në Kuvend për caktimin e lokacionit për ndërtimin e kësaj shkolle dhe në mbledhjen e muajit Mars të vitit 2017, është marr vendim në Kuvend për caktimin e lokacionit. Ky lokacion është vendosur në Qendër të Komoranit (ish-Fusha e Futbollit).
Pas kësaj procedure, Kryetari Lladrovci dhe Sekretari i Ministrisë së Administratës Publike, Arton Berisha, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për ndërtimin e Shkollës (Qendrës) Profesionale në Komoran dhe se në Ministrinë e Administratës Publike, ky projekt është në proces të vlerësimit.
Po ashtu Komuna ka memorandume bashkëpunimi me kompanitë e biznesit të vendosura në Parkun e Biznesit dhe me ndërmarrjen e Ferronikelit për aftësime praktike profesionale.
Për hir të korrektësisë, ne ju paraqesim Marrëveshjen e Mirëkuptimit, linkun e takimit me ish-ministrin Bajrami si dhe vendimin e Kuvendit të Komunës për caktimin e lokacionit për ndërtimin e shkollës”.