Komuna e Ferizajt akuzon Qeverinë për bllokim të projekteve

Ferizaj | 18 Qer 2022 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Ferizajt i ka reaguar deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti rreth projekteve në këtë komunë, ku sipas këtij reagimi deputeti po pretendon se janë të tijat.

Në një shkrim të gjatë në Facebook në faqen zyrtare të Komunës së Ferizajt akuzohet Qeveria se nuk po përkrahë dhe kësisoj po stagnon dhjetëra projekte në këtë komunë.

“Ditëve të fundit, në deklarime të ndryshme në media, në tentativë për të krijuar një diskurs publik në favor të tyre, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Haliti dhe shokët e tij, mëtojnë të krijojnë një opinion publik të pavërtetë, për kinse investimet e Qeverisë në Komunën e Ferizajt, çka është diametralisht e kundërt me realitetin në Komunën e Ferizajt, për faktin se si qytetarët, ashtu edhe institucionet lokale të Ferizajt, janë dëshmitarë të stagnimit, mospërkrahjes, nxitjes së pengesave të llojllojshme administrative e të tjera, të dhjetëra projekteve e punëve publike për këtë periudhë afro 1 vit e gjysmë qeverisje qendrore”, shkruhet në reagimin e tyre.

Tutje ata theksojnë se siç i quajnë deputeti Haliti dhe shokët e tij po tentojnë të manipulojnë më opinionin publik. Komuna e Ferizajt e konsideron këtë të turpshme.

“Madje, për të bërë më të besueshëm deklarimin e tyre publik, po këta deputetë, shfrytëzojnë pa të drejtë siglën e një organizate të respektuar të shoqërisë civile, në rastin konkret Institutin GAP, duke ia mveshur meritat vetvetes. E vërteta qëndron krejtësisht ndryshe dhe tentativa për manipulimin e opinionit publik është sa e turpshme po kaq e padrejtë ndaj mijëra ferizajasve që të tillë deputetëve ia dhanë besimin në zgjedhjet e fundit nacionale”, shkruhet tutje në reagim.
Siç shkruhet tuje në reagim, kjo komunë është përfituese e dhjetëra projekteve kapitale e investimeve të shumta, mirëpo sipas tyre ato janë përfituar gjatë viteve 2018-2020 dhe janë përfshirë në kode buxhetore qysh atëherë.

“…Pra, janë projekte të cilat Kryetari Agim Aliu, me punën e tij të suksesshme, bashkëpunimin e sinqertë e vizionin për qytetin tonë, arriti t’i përfitoj, duke e kthyer besimin e qytetarëve, në investim për të ardhmen e tyre”, shkruhet në reagim.

Komuna e Ferizajt ka akuzuar deputetin e Vetëvendosjes se po përdorë gjuhë të propagandës dhe sipas tyre qytetarët e kësaj komune janë dëshmitarë të punës së kundërt karshi pohimeve të deputetit

“Së dyti, gjuha e propagandës, është një element dallues pikërisht i individëve të tillë si deputeti Haliti dhe shokët e tij, andaj çdo qytetar ferizajas, është dëshmitar, për të kundërtën e pohimeve nga të lartcekurit, sepse është fakt i pamohueshëm, se Komuna e Ferizajt ka stagnuar në punë publike, pikërisht për faktin e bllokadave të paarsyeshme, pengesave të shumëllojta e qasjes jombështetëse nga niveli qendror.”

“Para se të trumbetojnë “suksese” individuale, deputeti Enver Haliti dhe shokët e tij nga Ferizaj, duhet t’i japin një përgjigje ferizajasve, sepse këtë përgjigje e meritojnë bashkëqytetarët tanë, ngaqë i dhanë besimin me mijëra vota mbështetëse. Le të na tregoj deputeti Haliti dhe shokët e tij, cilin projekt për Ferizajn e përfshinë dhe miratuan në kuadër të Buxhetit të Republikës së Kosovës?”, shkruajnë nga komuna.

Komuna e Ferizajt ka edhe një kërkesë për deputetin e Vetëvendosjes Enver Halitin.

“Le të na tregojnë edhe sesi u tret një megaprojekt, si dështoi projekti për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj, financim nga kredia me Qeverinë Hungareze, duke i lënë kështu ferizajasit, pa 42 milionë euro investime, pa një mjedis të pastër e pa sistem sipas standardeve për menaxhimin e ujërave të zeza.”

“Le t’i tregoj ferizajasve deputeti Haliti dhe shokët e tij, se pse kanë stagnuar projektet e mëdha në Ferizaj, duke i lënë gërmadhë nën mëshirën e fatit. Është e gjatë lista e asaj se çfarë duhet t’i tregoj ferizajasve deputeti Haliti dhe shokët e tij. Porse ama një gjë nuk duhet harruar asnjëherë, se ferizajasit, dijnë të ndajnë të vërtetën nga manipulimi”, është kërkesa e tyre për deputetin.

Kjo komunë akuzon Qeverinë se ndryshe nga vitet 2018-2020 ku përfitoi afro 100 milionë euro investime, gjatë këtij mandati përfitoi vetëm mini projekte.

“E thënë thjesht fare, nga afro 100 milionë euro investime në vepra publike të cilat i përfitoi Komuna e Ferizajt më 2018-2019-2020, në mandatin e deputetit Haliti dhe shokëve të tij, Ferizaj përfitoi vetëm disa miniprojekte, me kosto të ulët financiare prej disa mijëra eurosh, gjë të cilën konsiderojmë se është një mbështetje e pamjaftueshme e që këtë trajtim nuk e meriton asnjë ferizajas e aq më pak kryeqendra e zhvillimit ekonomik të Kosovës, Ferizaj”, shkruhet në reagim.

Kjo komunë shkruan se “një meritë që duhet t’i njihet publikisht deputetit Haliti dhe shokëve të tij, është reduktimi i investimeve për Ferizajn nga projekte shumëmilionëshe.”

Krejt në fund të këtij reagimi ata kanë pasur edhe një thirrje publike.

“Andaj, kemi një thirrje për ju, ndaleni propagandën dhe hipokrizinë. Çlirohuni nga energjitë negative dhe filloni të bëni punë të hajrit për Ferizajn. Nëse nuk mund të bëni punë të hajrit për Ferizajn, të paktën mos bllokoni, ky është i vetmi hajër që mund të shohim nga ju”, përfundon reagimi i Komunës së Ferizajt.

Të ngjashme