Qeveria e Kosovës miraton themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Tregu”, shkruan sot Koha Ditore.
Qeveria e Kosovës ia ka dhënë pëlqimin Komunës së Gjilanit që ta themelojë ndërmarrjen publike lokale “Tregu”. Ajo do të themelohet me 100 për qind aksione nga Kuvendi Komunal i Gjilanit.
Nënshkrimin e vendimit për themelimin e ndërmarrjes publiko-lokale “Tregu” e ka dhënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Gazeta ka arritur që të sigurojë vendimin ku precizohet edhe karakteri i kësaj ndërmarrjeje.
“Ndërmarrja publike lokale ‘Tregu’ themelohet me 100 për qind aksione nga Kuvendi Komunal i Gjilanit. Autorizohet Komuna e Gjilanit që të veprojë në emër të aksionarit të vetëm në NPL ‘Tregu’ Sh. A. të ndërmarrë të gjitha veprimet e ligjshme duke përfshirë regjistrimin sipas Ligjit nr. 02/L-123 për shoqëritë tregtare (GZ Nr.39/01 tetor 2008)”.
“Komuna e Gjilanit të drejtat e aksionarit do t’i ushtrojë nga Komisioni Komunal i Aksionarëve, në emër të komunës përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi. Obligohet Komuna e Gjilanit për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.