Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës, gjithashtu përmendi raste kur qytetarët kanë falur pronën e tyre Komunës pa asnjë kompensim.
Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës në këtë komunë, Sadudin Berisha, në një konference për media, ka njoftuar se të gjitha pronat e uzurpuara do të kthehen dhunshëm në emër te Komunës.
“Ka kohë që merremi me uzurpimet. Në Komunën e Gjilanit ka prona të uzurpuara që nga periudha e pasluftës e deri në vitet e fundit. Nëse deri në fund të muajit tetor, uzurpatorët nuk vijnë në Komunë, atëherë Drejtoria e Gjeodezisë në bashkëpunim me kryetarin dhe zyrën e Inspeksionit do të fillojmë ekzekutimin praktik në mënyrë të dhunshme dhe shpenzimet do të jenë në kurriz të uzurpatorëve”, tha Berisha.
Berisha tha se ka mjaftë raste, por më të rëndat janë rreth 25 të tilla.
“Që nga periudha e pasluftës kemi 47 raste të uzurpimeve, ndërsa 25 prej tyre janë më të rënda. Ka hapësira të ndryshme, ku përfshihen parcela dhe objekte të ndërtimit. Në vitin 2016 kemi 11 raste, në vitin 2017 kemi 12 raste, ndërsa në vitin 2018 kemi 15 raste, shumica në zonat rurale. Ndërsa në procedurë janë 10 raste”, deklaroi Berisha.
Drejtori Berisha gjithashtu, përmendi raste kur qytetarët kanë falur pronën e tyre Komunës pa asnjë kompensim.
“Kemi shembuj të mirë kur qytetarët kanë falur pronat e tyre Komunës për interes publik. Kemi deri në 10 raste kur i kanë falur pronat pa asnjë kompensim”.
Ndër të tjera Berisha përmendi edhe rastet e pronës së përbashkët, ku tha që është dukuri në rritje në Komunën e Gjilanit dhe u bëri thirrje të bartin pronat në emrin e tyre pa asnjë shpenzim. /Kallxo.com/