Kuvendi Komunal i Hanit të Elezit, ka votuar me shumicë votash buxhetin për vitin 2023, i cili deri më tani është buxheti më i lartë për këtë komunë me mbi 3 milionë euro.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, i cili falënderoi asamblenë komunale.
Ai ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm nuk përjashton asnjë lokalitet të komunës së Hanit të Elezit.
“Sot, në mbledhjen e nëntë të Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit për vitin 2022, miratuam buxhetin komunal për vitin 2023, i cili deri më tani është buxheti më i lartë për komunën tonë prej 3,349,714.00 €. Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm nuk përjashton asnjë lokalitet të komunës sonë, është gjithëpërfshirës në hapësirë e në kohë dhe i bazuar konkretisht në nevojat e kërkesat e qytetarëve. Falënderoj asamblenë komunale të cilët e vlerësuan si të hartuar në mënyrë të drejtë, me ç’rast edhe u miratua me shumicë votash në Kuvend. Bashkë, për jetësimin e projekteve për të mirën e qytetarëve që i kanë besuar programit tim qeverisës. Urime dhe na priftë e mbara në realizimin e projekteve”, ka shkruar ai.