Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Hanit të Elezit dhe Qendra për Punë Sociale sot hapi fushatën “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila do të zgjasë deri më 10 dhjetor.
Hapjen e fushatës e bëri kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi, i cili theksoi se dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje dhe as zgjedhje. “Çdokush që privohet nga e drejta e tij/saj për të jetuar një jetë të qetë, nuk duhet të heshtë dhe as ta fshehë, por të flasë e të raportojë dhunuesit/et”, u shpreh ai.
Ballazhi gjithashtu bëri thirrje tek zyrtarët komunalë pjesëmarrës që të jenë zë i fuqishëm në ambientet përreth tyre. “Ne që kemi një pozicion të pavarur ekonomik e social mund të bëhemi zëri i atyre që nuk kanë zë, sepse varësia ekonomike dhe sociale ua pamundëson që të reagojnë”.
Drejtori i QPS-së, Amir Bushi, ligjëroi mbi atë se çfarë quhet dhunë, format e dhunës dhe statistika të përgjithshme mbi dhunën me baza gjinore për zyrtarët komunalë megjithatë ai potencoi se statistikat jo domosdoshmërisht paraqesin realitetin, ngase gjendja reale mund të jetë edhe më e trishtë se sa statistikat.
Ndërsa, Vjosa Livoreka Rogaçi – Zyrtare për Barazi Gjinore, njoftoi të pranishmit për aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të fushatës mbi “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e ku përfshihen edhe ligjërata për dhe rreth grave, për të cilat do të jepen detaje gjatë ditëve në vijim.