Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan ka kritikuar qeverisjen lokale me arsyetim se zyra e prokurimit ka lidhur një kontratë me përmasa enorme për largimin e një kafshe të ngordhur nga rruga dhe groposjen e saj.
Sipas PDK-së për largimin nga rruga të një kafshe të ngordhur, Komunës i kushton gjithsejtë një mijë e 100 euro, duke konsideruar si çmim enorm. Po ashtu PDK-ja, fillimisht ka gjetur edhe një varg gabimesh teknike në këtë kontratë duke u nisur nga fjala “Varrosja e kafshëve” dhe disa gabime të tjera drejtshkrimore.
“Ekipet profesionale të PDK-së gjatë hulumtimit të disa kontratave të ekzekutivit kemi vërejtur se në disa raste është keqpërdorur buxheti i taksapaguesve derisa është lidhur një kontratë enorme për largimin e kafshëve të ngordhura nga rruga. Pra, gjatë hulumtimit kemi vërejtur se ekzekutivi i Lipjanit po nënshkruan kontrata pa mbulesa dhe më shuma të mëdha të mjeteve financiare, andaj ne dyshojmë se kjo ka ndodhur për shkak që buxheti mos të mbetet suficit”, thuhet midis të tjerash në reagimin e PDK-së.
Koha ka kontaktuar me kryetarin e këtij subjekti Hyzer Rizani, i cili ka thënë se në kuadër të kontratës
“Mirëmbajtja dhe pastrimi i rrugëve gjatë sezonit veror” në vlerë prej 47 mijë e 773 eurosh, ka futur edhe largimin e kafshëve të ngordhura nga rruga.
“Për qytetarët dhe për opozitën është shqetësuese se si në tabelën me nr.3 komuna e Lipjanit i paguan një operatori 1.100 euro për largimin e një kafshe të ngordhur nga rruga. Prandaj, pas përfundimit të kësaj kontrate ne do ta kërkojmë një raport të detajuar nga komuna për të kuptuar saktësisht se sa kafshë të ngordhura janë larguar nga rruga”, ka thënë Rizani.
Sipas tij, ekipet e tyre do të kërkojmë se në cilën rrugë janë pastruar këto kafshë dhe në cilën datë me arsyetim se kjo kontratë është duke u monitoruar vazhdimisht, prandaj kërkojnë dëshmi (foto) për secilën kafshë të ngordhur.
“Kjo nguti e ekzekutivit të Lipjanit për ta lidhur një kontratë të tillë, ne dyshojmë se ka dy qëllime: Pasurimi i jashtëligjshëm ekzekutivit të Lipjanit, përmes tenderëve me çmime astronomike, si dhe për ta arsyetuar shpenzimin e buxhetit pa mbulesë. Andaj me këtë rast ne ftojmë Policinë e Krimeve Ekonomike dhe prokurorin e shtetit që ta hetojë këtë kontratë si dhe shumë kontrata të tjera pa mbulesë të shpenzimeve dhe kurdisje tenderëve nga ky ekzekutivi”, ka shtuar Rizani.
Në anën tjetër Koha të mërkurën ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori i Prokurimit në Komunën e Lipjanit Adem Duriqi, por ai nuk ka qenë i qasshëm.