Komuna e Prishtinës planifikon ta mbyllë qasjen për te objekti i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës nga rruga “Xhorxh Bush”.
Kurse parkingu që funksionon në hapësirën përballë Fakultetit Filozofik, Filologjik dhe Bibliotekës Kombëtare e Universitare, sipas drejtuesve të Komunës, do të vihet në përdorim publik, ngase është pronë komunale, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rektorati i është drejtuar Komunës para afro dy muaj e gjysmë, me kërkesën që të mos e mbyllë qasjen në këtë institucion me vetura zyrtare, për shkak të vizitave të delegacioneve të ndryshme zyrtare, dhe me sqarimet se parkingu i Rektoratit ka qenë aty prej kohësh. Por kësaj shkrese të UP-së, deri tash nuk i është përgjigjur zyrtarisht Komuna.
Ndërsa, tani në një deklaratë për “Kohën Ditore” zyrtarë të Komunës bëjnë të ditur se kjo kërkesë është e parealizueshme, dhe se të njëjtën gjë Komuna do ta bëjë edhe në parkingun para Fakultetit Filologjik, duke mbyllur hyrjen për vetura edhe nga ajo pjesë.