Komuna e Prishtinës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me qeverisjen e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Në këtë konferencë është kërkuar që përzgjedhja e bordit që do ta qeverisë ndërmarrjen banesore të bëhet në mënyrë të ligjshme përmes konkursit dhe të jenë dokumentet e qasshme për aplikacionet e tyre.
Drin Kukaj, drejtor i pronës në Komunën e Prishtinës, tha se nuk ka nevojë që të merren persona të lidhur politikisht që të jenë pjesë në qeverisjen e ndërmarrjes banesore, raporton Ekonomia Online.
“Mandati i kryeshefit ekzekutiv dhe i bordit të drejtorëve tashmë ka skaduar. Dhe dje përmes një audioincizimi ku është e qartë që ka të bëjë dhe që ndërlidhet me një orvatje për të kurdisur një konkurs”, tha Kukaj.
“Kemi kërkuar nga Policia e Kosovës që personat të largohen nga objekti që kanë qenë aksionarë dhe do ta shpallim në kohë konkursin për bordin e ri dhe në të njëjtën kohë ftojmë prokurorinë, Policinë e Krimeve Ekonomike që ta hetojë konkursin për këto lokale si dhe vendimet e tjera të jashtëligjshme”, shtoi Kukaj.
“Neve si aksionarë na është pamundësuar të hyjmë në këto ndërmarrje publike dhe banesore. Ne nuk kemi dashur të shkojmë dhe të përleshemi aty, andaj edhe në mbledhjen e fundit i kemi kërkuar policisë që ta vendosë rendin aty”, tha Kukaj.