Komuna e Prishtinës pranon kushtin për 400 euro pagë, punëtorët teknikë të shkollave ndërpresin grevën

Prishtinë | 08 Shk 2024 | 16:57 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës dhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSP) kanë arritur marrëveshje për pezullimin e grevës së punëtorëve teknikë të mirëmbajtjes në objektet shkollore në kryeqytet.

Nënkryetarja e Kryeqytetit dhe ushtruese e detyrës së drejtores së Arsimit, Jehona Lushaku, sot gjatë ditës ka pritur në takim kryetarin e SPSP-së, Jusuf Azemi, për të diskutuar për grevën e punëtorëve teknikë të mirëmbajtjes të objekteve shkollore në kryeqytet.

“Nënkryetarja Lushaku dëgjoi me kujdes kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknikë të prezantuara nga kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, për të cilat tha se do të trajtohen menjëherë.
Palët gjatë takimit arritën marrëveshje”, thuhet në një njoftim të Komunës.

“Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit. Nënkryetarja e Kryeqytetit dhe Kryetari i Sindikatës shprehin falënderimin e tyre për të gjithë punëtorët për durimin dhe angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe të sfidave”.

“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknikë në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës, Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërprerje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”, ka deklaruar nënkryetarja Lushaku.

“Kjo rritje e pagave është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre dhe një shprehje e vlerësimit të punës së tyre të palodhur dhe të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore”, theksohet në njoftim.

“Kjo marrëveshje tregon përmirësimin e dialogut social dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve. Po ashtu me z. Azemi, nënkryetarja u dakordua që gjatë javës të takojë punëtorët teknik të shkollave në kryeqytet”.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka folur për Ekonomia Online, duke theksuar se kushti kryesor i punëtorëve teknikë që kujdesen për objektet shkollore është paga prej 400 eurove.

“Diçka është shumë e qartë, këta punëtorë nëse paga e tyre nuk është 400 euro, nuk do të pranojmë edhe nëse ofrohet shuma prej 399 euro”, theksoi ai.

Ai paralajmëroi se nëse deri të premten nuk arrihet marrëveshja, këta punëtorë nuk do të vinin më në punë.

“Këta punëtorë janë në grevë nga e hëna dhe Komuna e Prishtinës ka afat deri nesër për plotësimin e kërkesave. Pas të premtes, këta punëtorë kanë marrë vendim të mos vijnë më fare në punë”.

Por ai ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje dhe mirëkuptoi vonësë shkaku i ndryshimeve në Komunë.

“Në bazë të bisedave që i kemi, po shpresoj që më së largu deri nesër duhet të përfundojë gjithë kjo. Ne mendojmë se paksa janë vonuar që nga momenti që kemi hyrë në grevë megjithatë dihet që kanë ndikuar edhe ndryshimet që u bënë brenda Komunës, por edhe nëse nënshkruhet sot ose nesër mendojmë që afati më optimal është ai që të mos të mbetet deri të hënën që t’u themi punëtorëve ‘faleminderit për punën që e keni bërë deri tani nëpër shkolla’ dhe secili të shkojë në vendet e reja të punës”, u shpreh Azemi.

Ai tha se kanë pasur komunikim “edhe nga dy herë brenda ditës” me zyrtarët e Kryeqytetit. Kryesindikalisti, po ashtu, e quajti pozitive që grevistëve nuk iu është bërë presion.

“Komuna e Prishtinës dhe kompania janë duke i respektuar rregullt e ligjit për grevat, pra nuk ka ndonjë presion përkundër asaj që gjendja në shkollat janë në gjendje të mjerueshme”, deklaroi Azemi.

Në orët e mbrëmjes, Azemi konfirmoi për EO se Komuna e Prishtinës ka pranuar kushtin e tyre kryesor – që është paga prej 400 eurove, si dhe disa benefite të tjera.

Të ngjashme