Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe shënimit të 131 vjetorit të hapjes së mësonjëtores së parë shqipe, organizoi program kulturo-artistik për nder të kësaj dite historike të arsimit shqip, ditë e cila hapi dyert e diturisë për kombin shqiptar, transmeton Ekonomia Online.
“7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar. Andaj, në këtë ditë ne të gjithë se bashku kujtojmë dhe nderojmë mësuesit tonë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, të cilët na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun”, thuhet në një komunikatë nga komuna e Prishtinës.
Për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave dhe mbajtjes në jetë të gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptare, Drejtoria e Arsimit ndau mirënjohje për veteranët e arsimit të moshës 79 deri 84, si: Taib Sylejmani, Ramush Ajvazi, Ramadan Paqarada, Igballe Shushka, Muharrem Kozmaqi, Sabedin Sabedinaj, Fakete Binxhiu, Ymrane Shuku, Fehim Masurica, Jetullah Krasniqi, Bajrush Ahmeti.
“Me mirënjohje u nderuan edhe drejtuesit e institucioneve edukativo-arsimore për punën e dalluar që janë duke e treguar në drejtimin dhe menaxhimin e institucioneve arsimore, si: Sadifete Lumi, drejtoreshë në IP “Ardhmënia”, Isak Bregaj, drejtor në SHFMU “Dardania”, si dhe Bekë Mulaj, drejtor në SHML “Abdyl Frashëri.
U shpërblyen edhe mësimdhënësit e dalluar të secilit nivel të arsimit parauniversitar, për kontributin në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj si: Nashide Hoxha, edukatore në IP “Gëzimi Ynë”, Ilmie Dumani, mësimdhënëse në shkollën “Dardania”, Shaip Hasani, mësimdhënës në shkollën “Eqrem Çabej”, Kevser Carkici, mësimdhënëse në shkollën “Elena Gjika” dhe me mirënjohje u nderua edhe Dilaver Kryeziu, për kontributin e dhënë në kultivimin dhe promovimin e vlerave kulturore”, theksohet në komunikatë.
Po ashtu, me mirënjohje u shpërblyen edhe nxënësit fitues të garës si reciatorët më të mirë në nivel komune: Aurore Aliu – vendi i parë – Medresja Alauddin, Kasim Gërbeshi – vendi i dytë – Medresja Alauddin, Erona Mulolli – vendi i tretë – Sami Frashëri.