Komuna e Prizrenit e bën gati pushimoren e Nashecit si vendkarantinë të mundshme

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë bërë të ditur se në rast nevoje pushimorja e fëmijëve në fshatin Nashec do të shërbejë si vendkarantinë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin. Sipas tyre, punimet janë afër finalizimit dhe ky kompleks do të jetë gati që prej kësaj jave, me një kapacitet për 60 persona. Autoritetet lokale janë përcaktuar për pushimoren në Nashec, pasi që në afërsi të saj nuk ka ndërtesa rezidenciale.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në njoftimin e tij ka theksuar se intervenimet në pushimoren në Nashec janë bërë me mjetet vetjake të Komunës, shkruan sot Koha Ditore.

“Kemi pastruar, gëlqerosur, dezinfektuar dhe pajisur me shtretër dhe me të gjitha pajisjet përcjellëse për pushimoren në Nashec, si një vend për karantinë të mundshme nëse paraqitet nevoja në të ardhmen”, ka bërë të ditur Haskuka në rrjetet sociale.

Ndërsa koordinatori i Shtabit emergjent lokal, Visar Shehu, pas vizitës së realizuar ditë më parë në këtë kompleks bashkë me drejtorin e administratës, Osman Hajdari, ka theksuar se ai do të jetë gati që prej ditës së hënë.

“Sipas informatave që na u ofruan dhe dinamikës së punimeve, ky objekt do të jetë i gatshëm të hënën, me kapacitet për 60 persona”, është shprehur Shehu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme