Komuna e Prizrenit largon konstruksionet pa leje në Qendrën Historike

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prizrenit sot ka nisur aksionin e largimit të konstruksioneve metalike nga Qendra Historike, për të cilat është vlerësuar se janë vendosur pa marrë leje nga organet gjegjëse.

Objektet afariste në këtë zonë ishin paralajmëruar që t’i largojnë, por në mungesë të vullnetit të tyre, këtë gjë e ka bërë sot Drejtoria e Inspektoratit në Prizren.

“Procedurat ligjore ndaj të gjitha objekteve afariste që kanë ngritur konstruksione të tilla kanë filluar në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar. Njëherësh pronarëve të këtyre objekteve afariste u është kërkuar që vetë të bëjnë largimin e tyre, gjë që disa afaristë nuk kanë ndërmarrë një hap të tillë. Nisur nga kjo, Drejtoria e Inspektorateve është detyruar t’i largojë të gjitha ato konstruksione që nuk janë larguar nga vetë pronarët”, thuhet në njoftimin e komunës së Prizrenit.

Njëherësh, përmes këtij njoftimi është bërë e ditur se aksioni do të vazhdojë deri sa të largohen të gjitha konstruksionet e vendosura pa leje.

Qendra Historike në Prizren është zonë e veçantë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore dhe së fundmi është raportuar për vendosjen e pakontrolluar të reklamave të bizneseve private në këtë pjesë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme