Në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, në organizim të Drejtorisë Komunale të Arsimit sot është mbajtur Manifestim për nder të 7 Marsit Ditës së Mësuesit. Të pranishëm në Manifestim ishin Kryetari i Komunës Smajl Latifi, Drejtorët të Drejtorive, Afrim Dina Kryesues i Kuvendit Komunal, drejtor të shkollave, mësimdhënës, nxënës dhe prindër.
Një fjalë në Manifestimin e organizuar ka mbajtur, Avni Morina, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit i cili ka thënë se sot u bënë 131 vite që nga 7 Marsi i vitit 1887, që nga dita kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë Shqipe. Pas shumë luftërave, përpjekjeve dhe sakrificave të rilindasve tanë, në këtë ditë u hap Mësonjëtorja e parë. Mësonjëtorja e parë ishte shkollë me karakter kombëtar e laik, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare, si: Mësuesi dhe drejtori i parë Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, Thanas Sina e atdhetarë të tjerë.
Në vazhdim në fjalën e tij, Drejtori Morina është shprehur se Kontributi i madh që atdhetarët dhe veprimtarët e shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dije në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i kushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të atdhetarizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë tërësisht kombëtare të mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për çlirim kombëtar.
Programin kulturor e artistik e kanë begatuar me këngë nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët të Muzikës “Faik Sylka” në Rahovec, kurse poezitë dhe recitimet ishin përgatitur nga nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.
Përmes ceremonisë së veçantë dhe një koktej rasti është bërë ndarja e mirënjohjeve për mësuesit e dalluar, atyre të pensionuarve dhe mirënjohjeve Post Mortum për mësimdhënësit që nuk janë më në mesin tonë.