Komuna e Vushtrrisë kujton gazetarin Shemsedin Preteni

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 16:00 | Nga

Me rastin e vdekjes së Shemsedin Pretenit, gazetarit vushtrrias dhe ish zëdhënësit të kryetarit të Komunës, sot nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është mbajtur mbledhje komemorative.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, duke i shprehur ngushëllime familjes, tha se ka çmuar punën e të ndjerit si gazetar në Vushtrri.

Nga ana tjetër, ish-kryetari i Komunës, Bajram Mulaku, i cili në tre vitet e fundit të qeverisjes së tij si kryetar komune, Pretenin e kishte zëdhënës, ndau kujtime të mira nga puna që e kishte me të, si bashkëpunëtor dhe të përkushtuar.

Për Pretenin ka folur edhe kolegu i tij, gazetari vushtrrias Avni Deliu, i cili e vlerësoi si një kolegë bashkëpunues dhe të afërt me njerëzit.

Pjesëmarrësit në këtë mbledhje komemorative për të nderuar punën dhe jetën e të ndjerit, në emër të familjes i ka falënderuar Gazmend Preteni, i cili nën lot e ka pasur të vështirë të flas për xhaxhain e tij, të cilin tha se e ka pasur udhërrëfyes në jetë.

Pas një sëmundje të rëndë dhe të shkurtër, Shemsedin Preteni vdiq të shtunën në Gjermani në moshën 60 vjeçare, derisa varrimi i trupit të tij pritet të bëhet sot në orën 16:30 në varrezat e qytetit, në Begaj të Vushtrrisë, transmeton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme