Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se Komuna sot ka nënshkruar marrëveshje me një familje të kryeqytetit për asfaltimin e një rruge një pjesë e të cilës është në pronën e kësaj familjeje.
Sipas Ahmetit, bëhet fjalë për rrugën “Elena Gjika”, ndërsa marrëveshja është nënshkruar me familjen Vllasaliu.
Me këtë rast, i pari i Prishtinës ka premtuar se shumë shpejt do të fillojnë punimet për rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, ndërtimin e ujësjellësit dhe asfaltimin e rrugës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Shpend Ahmeti tha se asfaltimi i rrugës pa marrëveshje me pronarët binte ndesh me ligjet e Kosovës.