Komuna pas 22 tetorit nuk do të jetë e pushtetarëve, por e qytetarëve, tha kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, në takimet me qytetarët e Broboniqit dhe Vaganicës. Ajo theksoi se komuna nuk do të qeveriset më me logjikë provinciale.
Në takimin që zhvilloi në Broboniq, ajo tha se me fitoren e PDK-së në Mitrovicë, ky fshat defenitivisht do të bëhet me shkollë të re. Ajo tha se ky projekt ishte planifikuar të realizohet në mandatin e kaluar, mirëpo qeverisja komunale e kishte lënë anash pikërisht pse ishte projekt i PDK-së.
Sipas saj, e vërteta është se të gjitha projektet madhore që janë realizuar në qytet dhe në fshatra janë projekte të PDK-së. “Për këtë janë dëshmitarë të gjithë qytetarët tanë, ashtu siç do të jenë dëshmitarë edhe të projekteve të tjera të mëdha që do të realizohen në mandatin e ardhshëm nën udhëheqjen e PDK-së”.
Idrizi së bashku me kryetarin e Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastratin dhe drejtues të lartë të PDK-së në qendër, kanë zhvilluar një takim edhe me qytetarët e Vaganicës. Kandidatja për kryetare, me këtë rast i ka falënderuar ata për mbështetjen që tregojnë për programin dhe vizionin e PDK-së për Mitrovicën në mandatin e ardhshëm.
Sipas saj, qytetarët e Vaganicës me fitoren e PDK-së do ta kenë derën hapur për të gjitha projektet që ata i vlerësojnë me rëndësi për ta.