Për tre ditë radhazi, midis datave 28, 29, 30 dhjetor 2018, me moton “100% Rahovec” dhe nën dekorimin që vesh qytetin në muajin dhjetor, në hapësirat e qytetit, prej rrugës LAB-OIL deri te Bodrumi i Vjetër, do të mbahet panairi i produkteve vendore, i pari i këtij lloji në Komunën tonë, që është mbështetur nga Komuna e Rahovecit, gjegjësisht Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Qëllimi i këtij panairi është që të mbështesë prodhuesit vendor, si dhe të rrisë vetëdijësimin për konsumim sa më shumë të produkteve vendore.
“Organizimi i këtij panairi është mjaft i rëndësishëm, sepse më së miri prezantohen vlerat dhe traditat e prodhimeve vendore, para qytetarëve duke ofruar informacione nga tendat e Panairit, ku do të plasohen produkte tradicionale si nga, qumështi, perimkultura, pije tradicionale( vera e nxehtë), pasi që Rahoveci njihet si rajon bujqësor dhe kultivuese e rrushit, si dhe nuk do të mungojë edhe muzika”, thuhet në komunikatë.
Bizneset prodhuese dhe përpunuese pjesëmarrëse në këtë panair, do të prezantojnë vetëm produkte vendore. “100%Rahovec”.