Drejtori ekzekutiv i KD Events, Kushtrim Demiri ka treguar se Komuna e Prishtinës kishte revokuar lejen për organizimin e Botërorit në sheshin Skënderbeu gjashtë orë pasi ia kishte dhënë lejen për këtë.
“Ky është viti i gjashtë që kemi organizuar ngjarje të tilla, dhe për këtë Botëror kemi nisur përgatitjen qysh nga viti i kaluar. Për herë të parë kishim organizuar më 2016 Evropianin e edhe atëherë kishim probleme me marrjen e lejen, por në fund e kishim realizuar në sheshin Skënderbeu. Të organizosh për dy-tre ditë është me e lehtë, por për 30 ditë ishte më e vështirë por kishte kaluar pa asnjë incident. Për gjashtë vjet gjithmonë kemi mbajtur sheshin e pastër e edhe në Evropian. Në disa prej rasteve na kishte asistuar Komuna, por jo edhe më 2016”, ka thënë Demiri në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se atij fillimisht i ishte dhënë leje-pëlqimi për organizim të transmetimit publik të kampionatit botëror të futbollit “Rusia 2018” në sheshin “Skënderbeu”, por vetëm gjashtë orë pas kësaj, kjo leje i ishte revokuar sërish nga institucioni-Komuna.
“Më datë 24/5 të këtij viti kam apliku kërkesën për shërbime publike, kësaj i kam bashkangjitur marrëveshjen me RTK e nënshkruar në mars. Më 6 qershor në mëngjes na është dhënë pëlqimi dhe në ora 4 na vjen një email ku na thuhet se na është revokuar pëlqimi me arsyetimin se sheshi është i zënë dhe ka aktivitete të tjera”, ka thënë Demiri.
Ai thotë se ndjehet paksa i tradhtuar edhe nga RTK-ja për shkak se dyshon ka arritur marrëveshje edhe me një kompani rivale, që ka konkurruar për të organizuar këtë ngjarje.
Arsyeja e vërtetë e refuzimit të kësaj kërkese nuk mund të jetë pastërtia thotë Demiri, ai insiston se ka pasur gjithmonë angazhim maksimal për ta mbajtur të pastër sheshin.
“Motivin nuk e di, këtë pyetje do të doja ta bëja kryetarit. Sipas informatave që kam ky revokim është bërë direkt nga kryetari i Prishtinës. Asgjë personale nuk kam pasur me kryetarin, madje ai ishte së bashku me bashkëshorten e tij prezent në finalen e vitit 2014. Nuk kam marrë asnjë përgjigje përkundër që kam dërguar dy emaile. Nuk e di ku është problemi dhe për të zgjidhur problemin ata të paktën është dashtë me më ftuar me u taku e me këqyr se ku është problemi. Nuk jam pjesë e asnjë partie politike, e fushatat pse kam organizuar janë për shkak se ne e kemi punë këtë. Kemi pasur bashkëpunime me shumë parti”, shprehet Demiri.
Demiri thotë se kjo ngjarje është në të mirë qytetarëve. Dhe kjo vonesë thotë se iu ka shtuar mjaft humbje, megjithatë insiston se mund ta zhvillojë ende këtë projekt nëse komuna e lejon.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ligjore për këtë veprim të Komunës.