Asociacioni i të drejtave të njeriut (YAHR) dhe PDK-ja opozitare kanë kërkuar nga Komuna publikimin e listës së uzurpatorëve të pronave publike.
Kjo sepse po krijohen konflikte, derisa investitorët po hasin në uzurpatorë dhe po krijohen telashe, shkruan sot Koha Ditore.
Rasti i fundit është i një mërgimtari i cili kishte blerë nga AKP-ja një lokal në qendër të Lipjanit, por ai ka hasur në uzurpatorë, ndërkohë që midis tyre janë shkaktuar edhe rrahje fizike.
Zyra Pronësore-Juridike e Lipjanit prej më shumë se pesë vjetësh nuk është angazhuar të paktën ta bënte gati një listë me emra të uzurpatorëve, megjithëse ishte kërkuar edhe nga këshilltarët e KK-së.
Lulzim Rrustemi, shef i GK nga PDK-ja në KK, ka thënë se procesi i publikimit të pronave të uzurpuara në Lipjan ka ngecje prej më shumë se 5 vjetësh, mirëpo, sipas tij, ky proces duhet të jetë një nga detyrat më urgjente të Ekzekutivit në mënyrë që të rriten transparenca e llogaridhënia.